TIRANË

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ngre disa pyetje për qeverinë pas refuzimit nga BE për çeljen e negociatave. Në një status në “Facebook”, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Edi Rama, Gjosha shkruan se e vërteta është se sado probleme të ketë BE, askush nuk mund të thotë sot se Shqipëria po lulëzon.

Sipas saj, Shqipëria penalizoi vetveten me delir, arrogancë dhe refuzim të përballjes me problemet e saj. Ndaj ajo thekson nevojën e një pakti kombëtar.

MESAZHI I GJOSHËS
Kam dëgjuar me vëmendje debatin e ditëve të fundit mbi mbledhjen e Këshillit Evropian për negociatat. Dëgjova edhe Kryeministrin të shpejtonte në mashtrimin e radhës, me sloganin ‘Fajin e ka Evropa’ dhe se problemet e brendshme të BE penalizuan Shqipërinë!
Po si është e mundur që një BE me kaq probleme diskuton në një mbledhje maratonë për zgjerimin? A nuk do duhej që ajo të merrej më shumë me problemet e saj?
Si është e mundur që një nga problemet kryesore të brendshme ka të bëjë pikërisht me metodologjinë e zgjerimit dhe kredibilitetin e Komisionit Europian?
Si është e mundur që Shqipëria është kthyer në mollën e sherrit të çdo argumenti nga vendet anëtare?

Si është e mundur që vendet të cilat qeveria jonë i quan ‘skeptike’, votuan pro për Maqedoninë e Veriut dhe kundër Shqipërisë?
Si është e mundur që kushtet e Gjermanisë, qeveria i lexon si fitore, duke mos pranuar të shikojë realitetin e një refuzimi me diplomaci që iu bë kësaj qeverie?
Si është e mundur që një Evropë me kaq shumë probleme do t’i rikthehet sërish çështjes së zgjerimit në Maj 2020? A nuk do duhej ajo të fokusohej te reformat e saj?
E vërteta është se sado probleme të ketë BE, askush nuk mund të thotë sot se Shqipëria po lulëzon. Fatkeqësisht, Shqipëria penalizoi vetveten me delir, arrogancë dhe refuzim të përballjes me problemet e saj. Procesi i integrimit nuk është proces mëshire por proces meritash. Si i tillë ka nevojë emergjente për një Pakt Kombëtar që të mund t’i hapë rrugë perspektivës evropiane të Shqipërisë!

Gjosha Fb
Gjosha Fb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb