Shpikësi hungarez i Kubit të Rubikut festoi të shtunën 50 vjetorin e krijimit të enigmës së tij hapësinore që u bë një mani globale, duke shitur gjysmë miliardë kuba të tillë. I rrethuar nga kampionë botërorë të kubeve, ndikues dhe fansa, Erno Rubik tha se ndjente se kubi do të ishte po aq i rëndësishëm në shekullin e 21-të, sa ishte kur e projektoi për herë të parë në Hungarinë e kohës së Luftës së Ftohtë në 1974. Docent i dizajnit në një universitet teknik në Budapest, ai përdori kubin e tij si një mjet mësimor për matematikën.
“Duart tona pjesërisht na bëjnë njerëz. Sepse ne ishim në gjendje të krijonim mjete dhe mësuam se si t’i përdorim mjetet tona. Dhe në këtë kuptim kubi është një mjet për të menduar. Përdorimi i kapacitetit të mendjes sonë për të menduar, zgjidhjen e problemeve, të kuptuarit e situatave, të kuptuarit e hapësirës, lëvizjen në hapësirë e kështu me radhë. Ndërkohë, ne po përdorim duart tona – ka një lidhje shumë të fortë midis mendjes dhe gishtërinjve.”
I goditur nga popullariteti i tij me studentët, Rubik e patentoi atë dhe hyri në tregun global në fund të dekadës, duke u bërë një mani në mbarë botën në vitet 1980. Më shumë se 500 milionë njësi janë prodhuar që atëherë.
“Kubi ka të njëjtën fuqi dhe kubi është në gjendje të arrijë në të njëjtin nivel si 50 viteve më parë. Dhe çfarë mund të them tjetër? Shpresoj se kjo do të vazhdojë (për) 50 vitet e ardhshme.”
Rekordi aktual botëror për zgjidhjen e një kubi të përzier rastësisht është pak më shumë se tre sekonda, i mbajtur nga Max Park. Ka pak më shumë se 43 kuintilion kombinime dhe orientime të mundshme për 26 komponentët e ndryshëm, thonë krijuesi.