Juristi Skerdjan Dhuli, në një lidhje live në News24 ka komentuar fitoren e Vangjel Dules në Himarë. Dhuli tha se ka pasur diskutime në koalicionin Bashkë fitojmë që zgjedhjet të bojkotoheshin. Ai u shpreh se pas diskutimeve, ka fituar krahu që mendonte se në zgjedhje duhej të shkohej. Sipas tij, opozita do i dalë përballë Ramës dhe nuk do të pranojë humbje në tavolinë.

Skerdjan Dhuli: SPAK ka punë me institucionin e Bashkisë Himarë. Duhet një SPAK më vete vetëm për të hetuar grabitjet e pronave në bregdetin e Himarës. Kemi sot në burg Jorgo Goron, kemi edhe z Arqile Bollano që është në derë në burgut. Himara ka problematika me dosjet, me pronat. U ushtrua terror në 36 zonat e votimit. Edhe bizneset në zonë kanë qenë të shantazhuara. Gjithë shteti u mor vetëm me Bashkinë e Himarës. Brenda koalicionit kemi pasur diskutime që zgjedhjet të bojkotoheshin. Unë kam thënë gjithmonë që më mirë e humbur beteja dhe në luftë sesa dorëzim.

Arsyeja pse donim të bojkotonim ka qenë se ne fituam njëherë dhe Edi Rama nuk na e dha bashkinë. Në këtë diskutim ka pasur dy qasje, por fitoi qasja se ne nuk mund të bojkotojmë zgjedhjet, së paku dalim në betejë, fitojmë apo jo. Për kartat e ID të skaduara, ne nuk kemi pasur dijeni. Më 2021, është lejuar të votohet edhe me karta të skaduara, me një urdhër të Bledi Çuçit. Petro Gjikuria ishte kandidat i shkëlqyer, por dhe koha ishte e pamjaftueshme. Nuk e di nëse Gjikuria do të bëhet zv kryetar bashkie, por po të isha vetë, nuk do pranoja, do e quaja provokim. PS e Himarës është njollosur me korrupsion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb