TIRANE
E ftuar në studion e “Rudina”, këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri ndau përvojën e saj në festivalin “Kënga Magjike”, kësaj here jo si konkurrente, por si anëtare e jurisë.
Gjatë bisedës, Peristeri falënderoi përzemërsisht organizatorin e festivalit, Ardit Gjebrea, për mundësinë e dhënë, por pranoi se nuk ishte e sigurt nëse do ta merrte përsëri këtë rol. Ajo e përshkroi eksperiencën si të bukur, por njëkohësisht sfiduese, veçanërisht kur duhej të jepte vlerësime për artistët e rinj të talentuar dhe kolegët e saj.
“Kritikat në Shqipëri nuk pranohen lehtë, sidomos nga artistët”, u shpreh ajo, duke shtuar se në kompeticione të tilla të mëdha, “miqësitë mund të prishen për vetëm 5 pikë”.
E pyetur nga Rudina Magjistari se si e kishte përjetuar momentin e kritikimit të kolegëve, Peristeri u përgjigj:
“Ishte shumë e vështirë, pasi shumicën e kolegëve të mi i njoh prej vitesh. Edhe për artistët e rinj ishte po aq e ndërlikuar, pasi vërtet kishte talente të jashtëzakonshme. Megjithatë, ishte një përvojë e bukur, për të cilën falënderoj Ardit Gjebrean. Por nuk e di nëse do ta bëja sërish.”
Në vijim, ajo theksoi se pjesëmarrësit shpesh hyjnë në festival me idenë se do të fitojnë dhe nuk e pranojnë që dikush tjetër mund të ketë performuar më mirë apo të ketë pasur një këngë më të spikatur.
“Në çdo kompeticion, jo vetëm në ‘Kënga Magjike’, ka njerëz që hyjnë me bindjen se do të fitojnë. Kam përjetuar edhe vetë momente kur kam menduar se kisha këngën më të bukur, por në realitet nuk ka qenë ashtu,” pranoi ajo.
Lidhur me hatërmbetjet mes artistëve, Peristeri tregoi se edhe pse nuk është përfshirë drejtpërdrejt, ka dëgjuar fjalë nëpër ambiente të ndryshme.
“Unë kam konkurruar për më shumë se 8 vite në ‘Kënga Magjike’ dhe asnjëherë nuk i jam drejtuar një kolegu apo miku për t’i kërkuar llogari për votën. Vlerësimi është personal dhe nuk duhet të kthehet në shkak për hatërmbetje. Fatkeqësisht, shumë miqësi janë testuar dhe madje janë prishur për vetëm 5 pikë,” përfundoi ajo.