Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon ndërprerjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sina. Përmes një deklarate për mediat, PD deklaron se do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Sinës.

PD pretendon se “nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë”.

Sipas opozitës, deputeti socialist ka përfituar para publike përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.

“Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend“, thuhet në njoftimin e PD

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb