Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje në lidhje me vrasjet e bujshme të muajve dhe viteve të fundit në Shkodër duke theksuar se është faji i drejtësisë që nuk bën punën e saj duke çuar në një situatë të tillë në qytetin verior.
I ftuar në Abc Live, Hoxha tha se ngjarjet kriminale janë të dy natyrave në këtë qytet. Sipas tij, natyra e parë e krimeve, janë vrasje që ndodhin ndaj familjarëve të personave të vrarë apo përfshirë në krime të viteve të mëparshme.
Hoxha tha se këto vrasje janë vijim i ngjarjeve të pazbardhura dhe duket se familjarët e viktimave nuk presin më vënien e drejtësisë, por e bëjnë vetë drejtësinë.
“Kemi dy lloj ngjarjesh në Shkodër. E para janë ngjarje si atentate ndaj personave që janë të afërm të viktimave të mëparshme në Shkodër. Këto janë vrasje që janë vijim i ngjarjeve të pazbardhura. Me sa duket ata nuk presin më të veprojë drejtësia veprojnë vetë. Zgjidhja vetë do të thotë që ti të mos selektosh më se kush mund të jetë viktima, por vret këdo që është afër kundërshtarëve.
Natyra e dytë e krimeve janë ngjarje që ka të bëjë me histori që kanë objektiv trupat e policisë. Vetëm gjatë ditëve të fundit janë goditur me lëndë eksplozive, të paktën katër punonjës policie. Janë punonjës policie në terren që merren me kontrollion e territorit”, tha Artan Hoxha në Abc Live.
Gazetari tha se për shkak të mënyrës së si janë strukturuar grupet kriminale në Shkodër, siç është baza fisnore, vrasësit janë brenda grupeve kriminale, pasi ata nuk besojnë te të tjerët jashtë rrethit të tyre.
“Në Shkodër ka plotë vrasës me pagesë”, tha Hoxha.