Në një lidhje live me Skype në News 24, sociologu Gëzim Tushi komentoi vrasjen e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Tushi tha se ka prapambetje në nivelin e prindërimit. Ai u shpreh se familja shqiptare sot është në gjendje katastrofike. Sipas tij, adoleshentët janë viktima të një realiteti social, që në shumë raste është i dhunshëm.
Gëzim Tushi: Ngjarja është shokuese. Unë mendoj se shoqëria shqiptare është mësuar me kriminalitetin. Ngjarja është akoma më e dhimbshme, sepse është ulur mosha e kriminalitetit në shoqërinë tonë. Ulja e moshës së veprimtarisë kriminale tregon se adoleshentët janë viktima të realitetit social, pra një shoqëri që është e dhunshme. Familja shqiptare është në gjendje katastrofike sa i përket marrëdhënieve burrë-grua, duke humbur vigjilencën ndaj fëmijëve të tyre.
Shoqëria shqiptare vuan nga sindromi i indiferencës. Kjo është siguria e budallait, që sekush mendon se tragjedia ndodhi tek tjetri e nuk ndodhi tek mua, por në të ardhmen mund t’i ndodhë atij. Ne duhet të rregullojmë parimet e prindërit, duhet të rregullohet edhe komunikimi mes prindërve dhe adoleshentëve. Këto janë adoleshentët që nuk kanë qejf autoritarizmin, duan internetin. Ka një prapambejtje në nivelin e prindërimit.
(d.xh-Balkanweb)