Këtë të diel në programin “Gëzuar me ju”, me moderatore Ola Brukon dhe vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti, ishte i ftuar këngëtari i njohur i muzikës popullore tiranase Pajtim Struga së bashku me vajzën e tij Elisa Struga.
Gjatë bisedës në studio me Ramazan Gurrën, i cili ishte mes panelit të të ftuarve në këtë mbrëmje tiranase, u fol edhe për babain e tij të ndjerin Muharrem Gurrën, i cili ka shkruar shumë këngë tiranase.
Ai tregoi se babi i tij ka shkruar mbi 270 këngë, “Ndër to 61 ja ka kushtuar muzës së tij, mamasë sime”.
Krijimtaria e Muharrem Gurrës ndahet në tri periudha. “Në vitet ‘28-‘40, përfshihen këngët e hershme, të cilat shumë pak e dinë që janë të Muharrem Gurrës pasi i quanin si këngë të popullit, edhe pse babi im ishte gjallë. Periudha e dytë është në vitet ‘40-’60, periudha më aktive, me këngët më të bukura. Dhe periudha e tretë përfshin vitet ‘60-‘75 dhe ka krijimtari që i referohen realizmit socialist dhe partisë së punës, dhe nuk i kam futur në numrin që thashë më sipër”, u shpreh Ramazan Gurra.
Disa nga këngët e bukura tiranase, por edhe të Shqipërisë së Mesme, që ka shkruar Gurra janë,“Lulet të bukura ka Tirana”, “Qenke veshur me të bardha”, “Isha vetëm tuj mendu”, “Lule të bukura ka Kavaja”, “Qan lulja për lulen”, etj..
Këngëtari Pajtim Struga këndoi disa prej këngëve të tij në program, duke dhuruar emocione të bukura për Ramazan Gurrën por edhe për të pranishmit dhe teleshikuesit e News24.
Për Pajtim Strugën, Ramazan Gurra tha se është një nga njohësit dhe interpretuesit e rregullt të krijimtarisë së babait të tij.