Kabina elektrike në lagjen “Gjok Doçi” në qytetin e Peshkopisë, si shumë kabina të tjera nuk ka sigurinë e nevojshme që të mos përbëjë rrezik për qytetarët. Kabina e cila ndodhet shumë pranë stadiumit “Korabi” është një rrezik i madh për qytetarët e kryesisht fëmijët.
Por jo vetëm kaq, qytetarët shprehen se gjatë natës kabina kthehet në një strehë për endacakët, të cilët e shfrytëzojnë për të fjetur gjumë. “Gjendja e kabinës është e tillë prej 34 vitesh” – thonë qytetarët, teksa shtojnë se askush nuk merr masa për ta siguruar në mënyrë që të mos jetë rrezik për fëmijët apo ata të cilët e shfrytëzojnë si strehë. Kabina elektrike ndodhet mes dy rrugëve ku kalojnë dhjetëra qytetar e fëmijë çdo ditë. Kjo e bën atë të ekspozuar ndaj rrezikut, kryesisht për fëmijët që mund të bien në kontakt me rrymën nëse futen brenda saj.
Qytetarët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme ku të bëhet e mundur jo vetëm vendosja e dyerve por edhe rrethimi i saj në mënyrë që fëmijët të mos kenë mundësinë të futen brenda.
(Balkanweb)