TIRANE- Ismail Kadare, me të cilin shumë prej nesh krenohet nëpër botë, i nominuar për çmim Nobel, ishte i ftuar nga Teatri Kombëtar Eksperimental.

Shkrimtari i madh, krijoi mundësinë për një komunikim pas shumë vitesh në publik të gjerë dhe kësaj radhe me artistët e ngjitur në skenën e këtij teatri dhe jo vetëm. Në formën e një bashkëbisedimi, u diskutua mbi letërsinë, problematikat jetësore të individit në shoqërinë shqiptare, për krijimtarinë e gjerë artistike, ndjesinë, dashurinë dhe sigurisht për teatrin.

Duke ndaluar ne figurën e Çehovit dhe akoma më gjerësisht në atë të Shekspirit. Siç njofton Teatri Eksperimental, “meqenëse teatri ynë përgatitet për sezonin e ri artistik, i cili do mbështetet mbi Shekspirin dhe saktësisht në “Hamlet” dhe “Makbeth” që edhe Kadare i vlerësonte si dy veprat e tij më të mira, u fol mbi to, duke u ndalur në mënyrën se si Kadare i sheh dhe pse i vlerëson”.

Biseda e ngrohtë mes artistëve të rinj të teatrit dhe një figure kaq të madhe, u konkludua me dhurimin e 2 librave për secilin pjesëmarrës, të mundësuara nga Shtëpia Botuese “Onufri”. Sigurisht me autograf nga Ismail Kadare
(ed.me/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: