TIRANE– Pjesa e fundit e intervistës në “Studio e Hapur” në News 24 ndoshta ka qenë më e dashura edhe për shkrimtarin Kadare. Ai është pyetur për librat e letërsinë, ku sigurisht mes të tjerave ka zbuluar për gjithë lexuesit edhe fabulën e librit të fundit që pritet të nxjerrë në treg.

-Dua në fund disa pyetje mbi letërsinë. A keni vënë re, a keni spikatur autorë, shkrimtarë të rinj shqiptarë, për të cilët mendoni, po ky autor ka të ardhme, keni parë një pasardhës tuajin? Dua një mendim tuajin për autorët e rinj shqiptarë, nëse i njihni?
Njëherë përjashtoj fjalën pasardhës. Në letërsi nuk pranohet pasardhësi. Sigurisht letërsia shqipe ecën mirë. Zakonisht çdo letërsi kur flitet për të, krijon përshtypjen se nuk ecën mirë, se ecën keq dhe se më para ka qenë më e mirë. Nuk është e vërtetë. Letërsia shqipe me përjashtim të vitete ’30 që kanë qenë jashtëzakonisht të pasur, ecën shumë mirë. Në mesjetën e vonë, që ne të tërë e harrojmë, letërsia shqipe është një nga kuriozitetet e para në Europë që është zhvilluar në dy gjuhë, letërsi e shkruar në latinisht nga shkrimtarë shqiptarë për arsye të ndyrshme. Përkundrazi ka një degë të rëndësishme të saj, e ka në gjuhën latine të natyrshme. Pjetër Budi është shkrimtar shqiptar, nuk është latin që na bëri ne mëshirë. Budi është bashkëkohës i Shekspirit, ka vjersha të mrekullueshme në shqip dhe shumicën e veprës e ka në latinisht. Bogdani, Frang Bardhi janë shkrimtarë të rëndësishëm që botonin kudo në kontinent. Dhe është pjesë e rëndësisë sonë, jo kuriozitet as diçka që na ngjitet si ballomë europiane. Faktori kryesor që e ndaloi këtë është komunizmi, pasi nuk donte që të hynte ideja që një pjesë e letërsisë shqipe ëshët thellësisht europiane, është njëlloj si letërsia franceze që ëshët gjysmë europiane në shekullin e 15-të, gjysëm latine e gjysmë frëngjisht, gjermanët gjithashtu, skandinavët gjithashtu, apo anglezët. Ne na vjen sikur sjemi nga ata se e kishim mendjen te Rusia e Hungaria.

-A ka një emër që doni te veçoni për t’u kthyer te pyetja ime?
Do të veçoja disa me kënaqësi, por kam frikë se to krijoj një shqetësim, se sa te ndahem nga ju do fillojë meraku, harrova këtë, apo harrova atë. Ka disa që i çmoj shumë, ka vërtet disa.

-A është një pyetje e duhur për një shkrimtar se cili është libri që po lexoni tani?
Mund te jetë e duhur e mund të jetë e kotë. Po lexoj shënimet e varfra të një shkrimtari shqiptar për grindjen ruso-shqiptare. Por janë të varfra.

-A po punoni për një libër të ri?
Unë jam duke mbaruar një libër që më është zgjatur nëpër duar. Një ese, për një episod, që për ne shkrimtarët kushtoi shtrenjtë, për lexuesit mund të jetë kurioze. Një bisedë telefonike që ka bërë Pasternaku dhe Stalini.

-Do prezantoheni në panairin e ardhshëm?
Nuk arrij dot, edhe pse do të doja. Dua ta bëj sa më mirë. jam afër fundit, por fundet unë i çmoj shumë, i jap shumë rëndësi. Po nuk u kënaqa tamam nuk e lë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: