Pas inspektimit, të urdhëruar nga ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, që Inspektorati i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ushtruan në lokalin “Safari Park”, në Fier, dhe pas pas verifikimit të dokumentacionit, Ministria e Mjedisit ka vendosur masën e pezullimit të aktivitetit dhe largimi i menjëhershëm i kafshëve.
Ministria e Mjedisit bën të ditur se në Kopshtin Zoologjik të Tiranës ka nisur puna për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për vendosjen e 13 kafshëve.Luanët, dhelpra, ariu, majmunët dhe ujku do të vendosen në kafazë, në ambjentet e mbyllura që disponon Kopshti Zoologjik i Tiranës, ambjente që po përshtaten për vendosjen e tyre, ndërsa antilopat, zebra dhe drerët në mjedise të hapura përgjatë kopshtit, në zona të rrethuara specifikisht për një jetesë normale për to.
Parashikohet që punimet për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme në Kopshtin Zoologjik të Tiranës të përfundojnë brenda javës së ardhshme. Menjëherë pas kësaj, janë marrë të gjitha masat që në Tiranë të mbërrijnë 4 veterinerë nga Gjermania, Bullgaria dhe Kosova, të cilët do të ndjekin një protokoll të caktuar për të transportuar kafshët nga “Safari Park” drejt Tiranës, fillimisht duke i vendosur kafshët në gjumë, më pas do të bëhet kontrolli i mirkoçipit dhe vaksinimit nëse është e nevojshme.Disa ditë më parë media britanike Daily Mail i dedikoi një artikull gjendjes së mjerueshme të kafshëve në kopshtin zoologjik të Fierit.
(BalkanWeb)