Nga Shëngjini në Dhërmi! Nga UNUM festival në Kala festival. Nga plazhet e bukura të veriut në rivierën e mrekullueshme të jugut, Shqipëria është shndërruar në destinacionin rinor më të komentuar të momentit, në të gjithë botën. Mbi 5 mijë të huaj dhe qindra vizitorë shqiptarë kanë pushtuar plazhet përrallore të Dhërmiut dhe zonave rreth tij, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme festive, që kombinon aq bukur muzikën, të rinjtë dhe pamjet mbreslënëse të natyrës shqiptare.


“Është një ngjarje e madhe për botën e turizmit shqiptar dhe për krijimin e festivaleve ndërkombëtare në vendin tonë. Janë 5 mijë të huaj që kanë blerë biletat, të cilat janë shitur të gjitha që 3 muaj më parë. Jo vetëm për biznesin lokal, që sjell të ardhura të jashtëzaknshme, duke qenë se të gjitha dhomat në dhërmi janë të zëna, por ajo që është më e rëndësishme për ne si institucion i pilitikbërjes së turizmit është publiciteti i jashtëzakonshëm që i bëhet shqipërisë turistike dhe rivierës së jugut në veçanti, por edhe potencialeve që ka vendi ynë për të qenë destinacion turistik europian”, tha ministri Klosi, gjatë një takimi me përfaqësues të njohur të mediave ndërkombëtare dhe gazetarë shqiptarë.


Organizatorët tregojnë se këtë vit numri i pjesëmarrësve, krahasuar me një vit më parë, është 5-fishuar, një arsye pse kanë shtrirë edhe kohëzgjatjen e festivalit, nga 1 javë që ishte vjet, në 2 javë këtë vit. “Ambicja e organizatorëve është që vitin e ardhshëm të kemi 10 mijë pjesëmarrës në festival. Është një erë e re që po fryn në bregdetin shqiptar, për të qenë një destinacion rinor turistik. Për ne si ministri e turizmit, është shumë e rëndësishme ajo që pjesëmarrësit në festival, mijëra turistë, shkruajnë në rrjetet sociale, përshtypje super pozitive, një nga arsyet që këtë vit ka sjellë në Shqipëri shumë më shumë turistë se vjet”, tha ministri Klosi. Ai theksoi se gjatë këtij viti, së bashku me organizatorët ka zhvilluar dy takime të Task Forcës në Dhërmi, për të garantuar përfshirjen e të gjitha institucioneve shtetërore, që janë vënë në dispozicion për t’ju përgjigjur shërbimeve të shtuara për mijëra turistë, që kanë ardhur në Shqipëri për të ndjekur Kala Festival.


“Kemi një numër të shtuar të ambulancave, të stafeve mjekësore, kemi shtuar kontrollet për higjienën, siguri e shtuar në det. Shpresoj që vitin tjetër të organizojmë të paktën 7 festivale rinore, me qëllim konsolidimin e turizmit dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion për të rinjtë, siç kanë bërë edhe shtetet fqinje, si: Greqia, Kroacia që fillimisht u krijuan nga turizmi rinor, për të vijuar më pastaj me përthithjen e brezave të tjerë”, tha ministri Klosi.

(BalkanWeb)