NGA ABEDIN KAJA*


Muri i rënë pak ditë më parë nuk është muri rrethues i kalasë, por një fragment i murit ndarës me çanakun, ai thotë se gjendja e mureve në tërësi shfaq problematika dhe rreziqe për arsye të strukturës së dobët që ato kanë”. Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Eugen Kallfani, drejtori rajonal i Kulturës Kombëtare (DRKK) Berat. Ai kritikon edhe investimin me vlerë e rreth 2 ml euro, financuar nga BE, për kalldrëmet dhe infrastrukturën brenda lagjes muzeale Kala. “Kalldrëmet mund të ishin punuar me cilësi shumë më të mirë. Rrjeti elektrik ka ngelur në ajër, absolutisht njëjtë si ishte më parë. Shllangat dhe linjat që janë shtrirë kanë ngelur bosh, nuk kanë kaluar linjat mbitokësore. Rrjeti i hidranteve ka shfaqur probleme…”, ka thënë ai.


-Pak kohë më parë është shembur një pjesë e murit të kalasë. Cili ka qenë shkaku?
Për të qenë sa më korrekt dhe të saktë, më lejoni t’ju them që nuk kemi të bëjmë me murin rrethues, por me një fragment të murit ndarës me çanakun. Reshjet e muajit të kaluar kanë rrëzuar një pjesë të tij. Pjesa e këtij muri ka shërbyer për izolimin e kullës 14 të vëzhgimit mbi luginën e Osumit nga brenda dhe duhet të jetë braktisur në momentin kur Kalaja e Beratit pas kryengritjes së reformave të Tanzimatit në vitin 1834, u braktis përfundimisht nga garnizoni osman.


Ky trakt mund të jetë ndërtuar gjatë periudhës së ndërhyrjeve të fundit, ndoshta pas marrjes së saj nga Ali Pashë Tepelena në 1812. Pra, më shumë se mur fortifikues me karakter të mirëfilltë mbrojtës, ky trakt jo i plotë në gjendjen e sotme ka pasur kryesisht karakter kufizues të pjesës së brendshme të kalasë me zonën ushtarake të kullës së vëzhgimit. Kjo vërtetohet lehtë edhe nga përmasat modeste, vetëm 0.65 m trashësi, duke mos qenë i pajisur si në mënyrën klasike me shtegun e kalimit dhe gjoks-mburojën. Sipërfaqja e rrëzuar është rreth 20 m2. Arsyeja e shembjes ka qenë prej shkaqeve natyrore. Kjo pjesë nuk përbën absolutisht rrezik, pasi në terren është kryer zbarkimi i inerteve, pastrimi i gurëve dhe ka nisur puna për restaurimin e tij.

Janë marrë masat e nevojshme dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, pasi paraqiti dhe miratoi projektin e ndërhyrjes në Institutin e Monumenteve dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, mund të ndërhyjë tashmë për ringritjen, konsolidimin dhe restaurimin e tij. Për fat të keq në rrjetet sociale është përshkruar me tone të ekzagjeruara e apokaliptike sikur po shembet Kalaja e Beratit, kur në rastin konkret situata është nën kontroll dhe autoritetet përkatëse kanë reaguar menjëherë. Brenda këtij muaji kjo pjesë do të restaurohet tërësisht.

-A ka pjesë të tjera që rrezikojnë? Çfarë masash keni marrë për restaurimin e tyre përpara se ato të shemben?
(Dy vite më parë) kemi gjetur një situatë ku muret e kalasë ishin krejt të braktisura në fatin e tyre. Gjëja e parë që arritëm të realizonim vjet është ringritja e pjesëve të rrëzuara prej shumë vitesh e që ishin lënë në mëshirë të fatit. Është hartuar projekti i restaurimit të murit midis kullave 1 dhe 2. Ai është miratuar në instancat përkatëse dhe vitin që vjen do të ndërhyhet për restaurimin e kësaj pjese, gjithashtu e lënë në gjendje të mjerueshme prej shumë vitesh. Paralelisht po punohet për rilevimin e gjendjes ekzistuese dhe evidentimin e problematikave të krejt mureve dhe kullave dhe brenda gjysmës së parë të vitit 2016 do të kemi të përfunduar krejt këtë material.

Kjo është një punë e gjatë, komplekse dhe shumë e vështirë pasi në të shkuarën nuk ka pasur asnjë studim, asnjë rilevim i detajuar, asnjë projekt, asnjë ndërhyrje për to. Mund të themi që gjendja e mureve në tërësi shfaq problematika dhe rreziqe për arsye të strukturës së dobët që ato kanë, shpesh ato janë ndërtuar në brendinë e tyre me gurë të vegjël (aliçe) dhe me llaç balte, mungon sistemi i kullimit. Në pamje të parë ato duken mure solide, të ndërtuara mirë, por në të vërtetë po t’i analizosh mirë, në to dallohen mbivendosje fazash, mure të ndërtuara mbi mure, themele të dobëta, cedime dhe lëvizje në vertikalitet. Shpesh në pjesën më të madhe ato janë punuar me një teknikë të dobët. Veç gurëve më të mëdhenj, blloqeve masivë të trakteve më të hershme, pjesa tjetër janë me gurë të vegjël, me llaç- balte.

Muret e Kalasë kanë nevojë për ndërhyrje që kapin vlera dhe kosto shumë të mëdha dhe ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për to, ndaj unë gjej rastin të ngre zërin se duhen më shumë financime në këtë aspekt, pasi nuk mund të mirëmbahen vetëm me specialistët e mirëmbajtjes. Këto ndërhyrje kërkojnë investime miliona dollarë. Ne sivjet kemi ndërhyrë dhe kemi eliminuar një emergjencë, do të ndërhyjmë vitin që vjen përsëri, por ndaj erozioneve, ndaj shirave të rrëmbyeshëm dhe shkaqeve natyrore duhet të paraprijmë me konsolidime e masa paraprake.

-Po situata e rrugëve dhe shesheve me kalldrëm si paraqitet? A ka pjesë të dëmtuara dhe si mirëmbahen ato?
Për sa i përket kësaj pyetjeje, duhen ndarë sipas lagjeve historike. Lagja ‘Kala’ ka një situatë relativisht të mirë të rrugicave, në ‘Mangalem’ situata është e mirë, por jo optimale pasi ka pjesë të caktuara (relativisht sipërfaqe të vogla), të cilat paraqesin dëmtime të kalldrëmeve, që kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve pa kriter që kanë bërë qytetarët në dy dekada. Lagja ‘Goricë’ është lagja më e paprekur në investime.

Në fakt jemi duke hartuar një projekt madhor për rehabilitimin e rrugicave të disa prej banesave të kategorisë së parë dhe portave e strehëve të kësaj lagjeje. Situata është përmirësuar ndjeshëm, pasi e kemi gjetur në një lagje të pistë, plot ferra e krejtësisht pa mirëmbajtje. Tashmë rrugicat janë të pastra, kalldrëmet e lira nga vegjetacioni që i kish mbytur dhe shpesh me bashkinë ndërmarrim iniciativa të përbashkëta për mirëmbajtjen e tyre. Natyrisht duhet shumë, shumë punë akoma, por nga një lagje e lënë në mëshirë të fatit, tashmë gradualisht do përqendrohen punë e investime.

Në fakt, njërin e kemi realizuar tashmë dhe kjo lagje lidhet me pjesën tjetër të qytetit me një urë tërësisht të restauruar, duke e transformuar nga një shteg balte e pisllëku në një nga monumentet më të mirëmbajtur, të ndriçuar e të restauruar, duke e bërë simbolin e trashëgimisë kulturore të Beratit. Në prill 2013 ka përfunduar investimi me vlerën e rreth 2 ml euro, financuar nga Bashkimi Europian, nëpërmjet të cilit është restauruar e gjithë infrastruktura nëntokësore, rrugicat, kalldrëmet si dhe sistemimi i rrjetit elektrik në të gjithë kalanë e banuar të qytetit muze.

-Sa u përket kalldrëmeve, ka pasur kontestime nga qytetarët, të cilët janë shprehur se kalldrëmet nuk janë ato që gurskalitësit beratas e kanë në traditë, pra ka vërejtje për cilësinë e punimeve. Cili është mendimi juaj për këtë pjesë të investimit?
Më lejoni t’ju them se për pjesë të caktuara ndaj të njëjtin mendim me ata që e kanë kontestuar. Kalldrëmet mund të ishin punuar me cilësi shumë më të mirë. Megjithatë, mua nuk më shqetëson shumë ky fakt sesa mungesa e vizionit dhe adresimi i gabuar i këtyre fondeve. Nëse do kishim më shumë nevojë për investime dhe restaurime, ato duhet të ishin fokusuar te muret e kalasë, te monumentet. Aq më tepër kanë bërë një investim jo të plotë.

Rrjeti elektrik ka ngelur në ajër, absolutisht i njëjtë si ishte më parë. Shllangat dhe linjat që janë shtrirë kanë ngelur bosh, nuk kanë kaluar linjat mbitokësore. Rrjeti i hidranteve ka shfaqur probleme dhe është dashur bashkëpunimi aktual i DRKK-së Berat me PMNZSH në ujësjellësin dhe bashkinë aktuale për të vënë në funksion ato. U restauruan kalldrëmet dhe infrastruktura nëntokësore, por u la derdhja në gjendje të lirë në kodrën e kalasë e të gjithë ujërave sipërfaqësorë, duke krijuar përmbytje të rrugicës “Mihal Komeni” dhe duke favorizuar vërshime ujërash në qendrën e qytetit në raste shirash.

Kjo dëshmon, siç e thashë edhe në fillim, një mungesë përgjegjshmërie dhe paaftësi menaxheriale të personave që e kanë menaxhuar këtë projekt. Me ato fonde mund të ishin bërë shumë punë më të mira, më cilësore dhe Ministria e Kulturës në vitin 2012-prill 2013 ka treguar me fakte edhe njëherë mungesë përgjegjshmërie në këtë drejtim.

-Ç’projekte keni për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës?
Që nga marsi 2014 e deri tani kemi arritur që të vëmë në efiçencë specialistët e punëtorët e DRKK-së. U riorganizua drejtoria në nivel sektorësh. Bashkëpunimi me IMK dhe Ministrinë e Kulturës ka qenë shumë i mirë. Vumë në lëvizje një mekanizëm që ishte ndryshkur dhe arritëm të përfundojmë inventarin fizik të të gjitha monumenteve të qarkut të Beratit siç nuk ishte bërë prej dy dekadash. Kartelat e monumenteve ishin bërë duke u plotësuar nga zyrat a pa parë situatën në terren.

Të gjithë specialistët e DRKK-së u angazhuan në një kohë të shkurtër e me vështirësi të mëdha të vizitojnë çdo monument e të azhurnojnë kartelat duke plotësuar me detaje, me koordinata e sqarime çdo monument në rang qarku. Kemi arritur të shpallim zona të mbrojtura për to. Kemi ngritur një rrjet bashkëpunimi me pushtetet lokale, me Policinë e Shtetit, me banorët pranë monumenteve. Kemi ngritur rrjetin e “Mikut të Monumenteve” në bashkëpunim me DAR dhe Ministrinë e Kulturës. Kemi shpallur monumente të reja, janë restauruar banesa të kategorisë së dytë si ajo e Novës, banesa e Myfit Mehmetit në Kala, Miles në Goricë, familjes Nesho në Mangalem.

Monumente të kategorisë së parë, si kisha e Shën Vangjelizmoit, kisha e Shën Triadhës, që është në restaurim; janë restauruar shumë çati banesash kategori e dytë, janë restauruar porta e streha. Muret e kalasë prej dekadash të lëna në harresë po u nënshtrohen restaurimeve. Është në fazë hartimi edhe projekti për restaurimin total të urës së Kasabashit. Jemi duke përfunduar pas disa muajsh pune edhe projektin e restaurimit për banesën karakteristike në Roshnik (ish-muzeu), e lënë në harresë.

Vitin që vjen do merremi tërësisht me të dhe do bashkëpunojmë me shoqatat lokale për ta rijetëzuar e ta kthyer në funksion këtë monument të rëndësishëm. Kemi miratuar projektin e restaurimit të kalldrëmit nga xhamia “Mbret” deri te hyrja e kalasë, duke rehabilituar ujërat sipërfaqësorë dhe infrastrukturën nëntokësore të lënë të patrajtuar, me projekt e investime prej dekadash. Miratuam projekte restaurimi të banesave të kategorisë së parë “Xhimitiku” në lagjen “Goricë”. Në strehën e portave të banorëve Saveta, Kajana, Mile. Kemi miratuar projektin e ndërhyrjes për restaurimin e banesës së kategorisë së parë të familjeve Heqimi në Mangalem.

Po punohet për projektet e restaurimit të familjes Ziu, të familjes së Ferbent Shehu dhe banesës së Aishe Kamenikut. Kemi restauruar katër ikona këtë vit dhe janë dezinfektuar të gjitha ato që janë pjesë e fondit ku kishin me vite të harruara. Kemi kryer ekspozita dhe kemi nxjerrë në pah vlerat që kemi në fondet tona, duke i lënë të ekspozuara pranë muzeut “Onufri”. Jemi duke punuar për realizimin e projektit të restaurimit të afreskeve të kishës së Shën Triadhës dhe pas përfundimit të punimeve për restaurimin e çatisë do të ndërhyjmë në pranverën e vitit që vjen edhe për konsolidimin e tyre.

Është rritur ndjeshëm interesimi i qytetarëve për të investuar në banesat e tyre falë edhe bashkëpunimit me DRKK-në, ku ata kanë gjetur të hapur mundësinë për të pasur miratimet e projekteve në kohë të shkurtër, duke i ndihmuar në zbatime me materiale si tjegulla, lëndë drusore, vaj lini, antimo, gurë, llaç etj. DRKK Berat tashmë është një derë bashkëpunimi ndaj banorëve, ndaj bizneseve ndaj turistëve. Numri i këtyre të fundit është dyfishuar në krahasim me dy vjet më parë. Kemi realizuar një numër të madh aktivitetesh, duke bashkëpunuar me Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, me Bashkinë Berat, me Drejtorinë Arsimore, me shkollat e qytetit duke promovuar e edukuar brezin e ri me vlerat e rralla të trashëgimisë sonë kulturore. Në qendrën historike të Beratit nuk ka pasur pothuaj asnjë ndërhyrje pa autorizim dhe “siti” i Beratit ka shënuar progres në raportin e UNESCOS, duke dalë nga lista e zezë, në të cilën me papërgjegjshmëri e neglizhencë totale e kishin zhytur.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Etiketa: