Pamjet që shihni tregojnë momentin kur 42-vjeçari Eglantin Proga përfundon pa ndjenja në rrugë, pak para se ai të ndërronte jetë rrugës për në spital. BalkanWeb ka siguruar një tjetër video nga momentet e fundit të babait të dy fëmijëve, i cili ndihmohet nga kalimtarë të rastit, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërrijnë dy furgonë policie.
Siç shihet nga pamjet, qytetarët mbajnë prej krahu viktimën, para se ai të ndërronte jetë. Teksa si fillim u tha se kishte dyshime që personi në fjalë kishte qenë i dehur dhe kishte rënë përtokë pa ndjenja, një ditë më vonë u zbulua se ai ishte dhunuar.
Aktualisht pas hekurave ndodhet 29-vjeçari Denis Meçe dhe tre persona të tjerë, Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
(BalkanWeb)