Në një kohë kur presidenti Ilir Meta dorëzoi sot kallëzimin penal për kreun e KED Ardian Dvoranin, për shpërdorim detyre, vjen një reagim nga avokati Sajmir Vishaj. Në një lidhje telefonike për ‘News24’ Vishaj pohoi se nuk mendon se do të regjistrohet kallëzimi, pasi në këtë rast nuk bëhet fjalë për vepër penale dhe veprime nga një individ, por të një institucioni me disa anëtarë.

“Prokuroria është jo kompetente për të regjistruar një kallëzim të tillë. Prokuroria e Përgjithshme mund të regjistrojë një kallëzim të tillë dhe më pas mund ta zgjedh kompetencën në të cilën ka ndodhur vepra. Nuk ka elemente të një vepre për shpërdorim detyre. Por jemi në një moment që ka nevojë për interpretim. Me ndryshimet e reja që ka pësuar kodi i procedurës penale, në momentin që një person, institucion shtetëror i drejtohet prokurorisë me kallëzim, duhet të shohim dhe pasojat që ka pësuar institucioni. Jemi para një akti administrativ që nuk mund të ushtrohet e drejta apo ndjekja penale të një organi që vendimmarrjen e ka në mënyrë kolegjiale. Shpërdorim detyre kërkon që subjekti të jetë i posaçëm por mos të veprojë në bazë të votimit kolegjial. Në rastin e KED s’kemi të bëjmë me një individ por me 6-7 anëtarë që kanë votuar vendime që nuk mund te ushtrohet ndjekje penale. Për mendimin tim nuk do regjistrohet kallëzimi penal sepse nuk kemi të bëjmë me vepër penale por me një akt administrativ. Kërkon interpretim. Nuk mund ta drejtosh në tre prokurori. Dhe vetë janë të paqartë, tek cila prokurori. Prokuroria e Përgjithshme në rastin konkret ka një rol administrativ, nuk mund të ushtrojë ndjekje penale. Kemi ndryshime të reja me kodin e procedurës penale”, tha Vishaj.

Presidenca njofton sot se kallëzimi i penal i Presidentit Meta për Kryetarin e KED do depozitohet në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb