Ashtu si shumë qytetarë të tjerë, edhe një çift i moshuar në Durrës kanë kaluar mbrëmjen e kaluar jashtë, për shkak të tërmetit të fuqishëm 5.8 ballë, që u shoqërua me lëkundje të forta gjatë gjithë natës.


Çifti i moshuar ka treguar tmerrin e përjetuar nga tërmetet për gazetarin e “BalkanWeb”, Osman Stafa, teksa ka treguar se si ishin bllokuar në ashensor. Dy të moshuarit treguan se jetonin vetëm në banesë, kur një zhurmë e llahtarshme i ka goditur.



“Ishim dy pleq, tërmeti ishte shumë i madh. Ne donim të dilnim, nuk dolëm dot, ngelëm brenda në ashensor, pastaj u hap dera, kur mbaroi tërmeti. Por, shyqyr shpëtuam. Sot kishim lëkundje përsëri, ndaj u detyruam të vinim këtu. Mbrëmë qëndrua te stadiumi, në të ftohtë, deri në 2 të natës. Sa vajtën në shtëpi ra tërmeti sërish, dolëm dhe erdhëm të stadiumi”, tha e moshuara.

A keni përjetuar ndonjë tërmet të përmasave të tilla?
Para 30 vitesh. Ishte një zhurmë e llahtarshme dje. Frikë e tmerrshme, e paimagjinuar. Mezi dolëm nga ashensori.

Ku e morët informacionin për stadiumin?
Nga televizori, që doli Rama e tha. Thamë më mirë të rrimë jashtë, sa të rrimë në shtëpi e të zbresim me vonesë. Në shtëpi nuk kishim dëme, vetëm qelqurina, por tronditja ishte shumë e madhe.

Natën sonte do e kaloni këtu?
Nuk lëviz më, se jam e sëmurë, edhe e moshuar. Do rrimë këtu.

(d.ç./BalkanWeb)