TIRANË – Pak akse rrugore të vendit kanë paraqitur probleme qarkullimi gjatë ditës së sotme, kryesisht për shkak të ngricave në mëngjes dhe në mbrëmje.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi situatën në të gjitha akset e vendit deri në orën 15:30. Në qarkun e Elbasanit, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Lunik –Steblevë; qarkullimi bëhet me vështirësi në Shelcan, pjese e aksit Elbasan-Gjinar, ku ka ndodhur rrëshqitja e rrugës.

Në qarkun e Korçës, ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të qarkullojnë me kujdes në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.

Në qarkun e Kukësit, në aksin Kukës – Shishtavec ka patur rrëshqitje dherash dhe shembje gurësh. Janë marrë masat per pastrimin e aksit dhe rruga është e qarkullueshme në të dy drejtimet. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në segmentin K.Domaj – Draj Reç, për shkak të temperaturave të ulta dhe ngricave në rrugë. Qarkullimi në Rrugën e Kombit kryhet normalisht .

Në qarkun e Dibrës, ka patur ngrica nga temperaturat e ulta të natës në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi – Qafë Draj, Qafë Bualli – Krastë. Qarkullimi kryhet me zinxhirë në segmentin Q.Klenje – Klenjë, Zall Dardhë – Qafë Draj dhe Ura e Cerenjës – Vasie. Rekomandohet kalimi me zinxhirë edhe në segmentet Qafë Bualli – Krastë dhe Ura e Qytezës – Zerqan.

Në qarkun e Shkodrës, në aksin Mes – Prekal ka ndodhur një rrëshqitje e skarpatës në fshatin Omaraj, por pas pastrimit, aksi qarkullohet normalisht. Gjithsesi, duhet të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të ditës dhe në orët e mbrëmjes.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: