Avokati Erald Aga në emisionin e mëngjesit “Koha për tu zgjuar” me gazetarin Klevin Muka në News24 ka folur lidhur me kalvarin e gjatë që përballen pensionistët në gjykata për t’iu njohur vitet e punës.

Aga tha se në Shqipëri ka dështuar skema e pensioneve, por kjo nuk pranohet nga Qeveria, ndërsa ato që e vuajnë janë ata që mbushin moshën e pensionit.

“Të gjithë pensionistët hasen me problemet për vitet e punës. Skema e pensionit është e dështuar. Pensionistët shkojnë në gjykata për të gjetur të drejtën e tyre.

Pensionistët detyrohen ti drejtohen gjykatave pasi pavarësisht se i kanë vitet e punës në librezë, institucionet shtetërore i thonë se ju mungojnë 5 apo 10 vjet.

Një proces gjyqësor nga fillimi deri në vendimin e Apelit mund të zgjasë deri në 12 vjet.

“Mendoni pak që një person që ka mbushur moshën për pension, i duhet të presë 12 vjet që të marrë një vendim gjykate për të përfituar pensionin”, tha Aga.

Ai e konsideroi si paradoks faktin që institucionet shtetërore nuk njohin librezën e punës, pra nuk njeh aktet që ka lëshuar vetë. “Të vetmet raste kur shteti mund të mos njohë librezën e punës, është kur provohet se është false”, tha Aga.

Ai sugjeroi që qytetarët që janë në prag të pensionit duhet të verifikojnë nëse vitet e punës janë hedhur në bordero. “Duhen kontrolluar ose përmes arkivave ose përmes E-Albania”, tha Aga.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb