Kryeministri Edi Rama vijon takimet me banorët e prekur nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, që la pas 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra banesa të rrënuara.

Këtë paradite, pas mbledhjes së qeverisë dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kreu i qeverisë ka shkuar në Lezhë, që është qarku i tretë ku u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Duke u ndalur në Kurbin, Rama ka debatuar me banorët, në tentativë për t’i bindur që të largohen nga banesat e tyre dhe të vendosen në hotel, derisa të bëhet inspektimi dhe vlerësimi i gjendjes në të cilën ndodhet këto banesa.

Pjesë nga diskutimi:
Banori: Babai më vdiq tre ditë para tërmetit, pastaj më iku shtëpia nga tërmeti. Është stres i paparë.
Rama: E di o shpirt se është stres. Po pse nuk shkon në hotel?
Banori: Po pres njerëz, se më vijnë për babin.
Banori 2: Kam një tufë fëmijë, dua të më kontrollojnë shtëpinë, po nuk e çajnë kryet fare.
Rama: Po si nuk e çajnë kryet more, po je goxha burrë, si flet kështu. I njoh mirë këta, janë nga ato burrat ‘kafe e muhabet’. Ti nuk je vetëm, janë 20 mijë që kanë halle si ti. Po ne nuk kemi 20 mijë grupe, tani do vijnë të inspektojnë. Ti rren nga stresi, të falet. Rrena nga stresi falet. Unë kam besim te gratë, më shumë se te ju.

Qytetarja: Rashë nga shkallët prej tërmetit, jam nënë me 12 fëmijë. Fëmijët janë hallakat, kam ngelur me plakën 92 vjeçe.
Rama: Merre dhe plakën dhe shkoni në hotel, se më hoqët trurin.
Qytetarja: Si ta mbaj plakën unë, jam plak për vete.
Rama: S’do e mbash ti plakën, e mban makina.
Qytetarja: Ku është ajo kryetarja e bashkisë, të vinte të më shihte njëherë, se jam nënë heroinë.
Rama: Lëre kryebashkiaken s’e nuk ka lidhje me këtë. Shko në hotel, do të të shërbejnë ata, edhe plakës.

Qytetarja: Duhet me fol fjalë burrash, e di që je i tronditur, por ne kemi hall.
Rama: Unë nuk jam i acaruar nga populli, por nuk e kuptoj çfarë doni.
Qytetarja: Kërkoj strehim.
Rama: E kërkon tani? E kupton, tani je ti e acaruar, jo unë. Merr plakën dhe shkoni në hotel.
Qytetarja: Jo. Pse nuk vini me na pa.
Rama: Mirë, aty e keni mendjen ju, te Salushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb