Basketbollisti me origjinë turke Enes Kanter ka arritur shumë sukses në NBA në SHBA, teksa ekipi tij lufton për një vend në finale. Mirëpo, Kanter po përballet edhe me një tjetër problem, atë që ai e sheh si diktaturë në vendin e tij në Turqi, ku do të arrestohej, në rast se kthehet në atdhe.

Ai është detyruar të humbasë ndeshjet e NBA që luhen përtej Amerikës, ka marrë kërcënime të vazhdueshme me vdekje, dhe tashmë ka raporte me FBI, në rast të ndonjë rreziku të mundshëm.

Turku ka nënshkruar me ekipin e Blazers Trail, dy vjet pasi ai u arrestua dhe më pas u lirua në Rumani, në ambasadën turke, teksa kjo ambasadë e anuloi pasaportën e tij. Basketbollisti Kanter figuron se është person në kërkim në Turqi, vetëm për faktin se ka bërë kritika ndaj presidentit të vendit Rexhep Tajip Erdogan, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Kanter gjithsesi ka marrë mbrojtje nga agjentë të FBI, të cilët i kanë dhuruar një pajisje, duke i thënë se në rast se ndjen rrezik për jetën, mund të shtypë një buton, i cili do të vinte në lëvizje policinë federale. Basketbollisti u shpreh se kërcënimet me vdekje janë shtuar në numër, pasi ishte në Londër për të luajtur një lojë basketbolli. Kanter tha se nuk do të pushojë së foluri për realitetin në Turqi, edhe pse atje ka njerëz të afërt të familjes.

“Unë kurrë nuk do të pushoj së foluri,” thotë ai. “E kuptoj se nëna ime, babai dhe motra janë në Turqi, por nëse ndaloj duke folur, kush do të flasë për mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm në burg? Njerëzit po torturohen dhe vriten, prandaj më duhet të flas për këto çështje Unë nuk jam gazetar apo politikan, por ky është qëndrimi im”, deklaroi Enes Kanter.

Turqia ka lëshuar urdhër-arrest për Kanter, duke pretenduar se ai bën pjesë në një organizatë terroriste. Pasaporta e tij turke u konfiskua në 2017, duke çuar në arrestimin e tij të afërt gjatë një qëndrimi në Rumani. Që atëherë ai nuk do të udhëtojë jashtë Shteteve të Bashkuara, duke lënë mënjanë lojërat në Londër dhe në Toronto. Ai ka një ndeshje në Kanada dhe një senator amerikan ka kërkuar ndihmë nga kryeministri kanadez Justin Trudeau duke i kërkuar “të lehtësojë kalimin e sigurt të z. Kanter për në Kanada, që ai të luajë ndeshjet e rëndësishme që të dërgojnë për në finalet e NBA. Kanter ka një kartë të gjelbër të lëshuar në vitin 2016 dhe mund të qëndrojë në SHBA për një kohë të pacaktuar Ai mund të bëhet qytetar i SHBA në vitin 2021.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb