Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar socialistëve të këtij qyteti të respektojnë dhe palën kundërshtare, pasi në një takim me të rinjtë e FRPD të Vlorës ka dëgjuar ankesa në këtë drejtim.
Rama tha se një nga kandidatet për deputete të listës së Vlorës i bëri një surprizë duke e ulur në tavolinë me 100 djem e vajza të forumit rinor të PD duke e quajtur një moment të veçantë të karrierës së tij politike.
Kryeministri Rama tha se pas 11 majit, do të ketë tolerancë 0 ndaj cdo zyrtari të PS që nuk trajton në mënyrë të drejtë të gjithë komunitetin, dhe aq më tepër palën kundërshtare.
“Dje Zamira më ka bërë një surprizë, besoj është një nga momentet më të veçanta të karrierës time. Më ka ulur në tryezë me 100 djem e vajza të forumit rinor të PD dhe përtej të gjithave ky takim më ka lënë një ndjesi faji ndaj tyre që s’më është ndarë akoma dhe tani.
Ndjesia e faktit është për faktin se ata janë të rinj të angazhuar me forcë tjetër politike, pavarësisht se në Tiranë ka një surrat pa lidhje me fytyrat e djemve e vajzave këtu, më kanë vënë në pozitë të vështirë kur më thanë se si sillen përfaqësuesit e PS me ata që nuk i konsiderojnë pjesë e të njëjtës forcë. Këto janë minimumi i kodit etik. Dua që së bashku të jemi në një mendje që pas 11 majit të vendosim tolerancë 0 ndaj cdo përfaqësuei që nuk i jep respekt dhe nuk i trajton në mënyrë të drejtë e të barabartë këtë komunitet, aq më pak se janë pjesë e një force politike.”, tha Rama.
(Balkan Web)