Të gjithë ata që kanë punuar nëntokë në zonën e Bulqizës por jo vetëm, nuk janë të kënaqur me pensionin që marrin. Një rast i tillë është edhe ai i Fatmir Gjokës nga Fushë Bulqiza. Fatmiri ka punuar plot 25 vite nëntokë, por pensioni që merr nuk i mjafton as për shpenzimet më jetike.
70-vjeçari tregon se për një ndërhyrje kirurgjikale që ka bërë në sy i ka marrë lekët borxh, pasi nuk mund t’a përballonte me pensionin që merr. Fatmir Gjoka thotë se vitet nën tokë kanë qenë më të vështirat e jetës së tij. Veç lodhjes nga puna e rëndë të cilën bënte tek kolonat e minierës, fatkeqësisht atij i është dashur të nxjerrë shumë trupa të pajetë në sipërfaqe.
“Nuk përballohet jetesa me këto lekë. Unë kam vrarë syrin dhe kam paguar 600 mijë lekë pasi vrava syrin. Si përballohet? Si mund të bëhet jeta? Nuk mbaj mend sa vetë kam nxjerrë të vdekur nga miniera. Jam 70 vjeç dhe do jetoj dhe nja 3-4 vjet. Po bëj jetë të zezë. Shyqyr Zotit nuk po shkojmë në spital, se nëse shkon në spital, ke mbaruar se nuk përballon dot koston. Kam një djalë të vetëm dhe shyqyr që më ndihmon. Kosova ka ngritur pensionin 20 përqind, ne 4 përqind. Unë në kafe veç një kafe pi, kaq. Kam një jetë te zezë”, tha ish-minatori.
Si të gjithë ish minatorët, edhe 70-vjeçari Fatmir Gjoka thotë se është mashtruar nga politika në këto vite tranzicion, pasi asnjë qeveri nuk e mbajti premtimin për të miratuar statusin e minatorit. Gjoka shton se faj shumë të madh kanë edhe sindikatat, të cilat sipas tij janë bërë palë me kompanitë mineral-nxjerrëse dhe vetë shtetin.
Minatorët pa mbështetjen e sindikatave ndjehen të pafuqishëm për t’i bërë presion shtetit që t’ju miratojë statusin e minatorit, i cili ju jep atyre pensione shumë më të larta.
(Balkanweb)