Konventa Kombëtare e Demokratëve amerikanë e mbajtur më 19 – 22 Gusht në Çikago, bastion i tyre historik shënoi një kulm dhe moment historik me emërimin e Nënpresidentes Kamala Harris si kandidate për presidente e SHBA-në në zgjedhjet që do të zhvillohen më 5 nëntor dhe zëvendësin e saj, Tim Walz.

Ky kongres i përshkuar nga fillimi në fund nga një entusiazëm i paparë u mblodh në një kohë kur falë personalitetit, jehonës dhe mbështetjes së fuqishme për të, Kamala Harris ka shumëfishuar shpresat, besimin dhe gëzimin për fitoren e pritshme më 5 Nëntor. Ky Kongres, siç ishte në fakt me atmosferën e tij të zjarrtë i ka dhënë shtysë të re të madhe Zonjës Haris për të krijuar dhe shtuar epërsinë ndaj Trumpit deri në zgjedhjen e saj në krye të Shtëpisë së Bardhë. Duke hyrë në histori si presidentja e parë amerikane, me ngjyrë dhe me rrënjë aziatike.

Me miratimin e menjëhershëm të kandidaturës së saj, demokratët kapërcyen pa zhurmë dhe pa asnjë krisje situatat delikate të hezitimit të Presidentit Biden për t’u tërhequr nga gara dhe forcimit të Trump mbas atentatit të dështuar ndaj tij.

Ashtu si e vlerësuan dhe shumë oratorë elitarë, ndërmjet të cilëve Presidenti Biden, Çiftet emblematike presidencialë Clinton dhe Obama, protagonistë të tjerë demokratë, yje të hollivudit, madje dhe ish bashkëpunëtorë të Trump, Kamala Harris po e shfaq vehten, siç pohoi në fjalën e tij dhe bashkëshorti i saj, si “luftëtare e gëzuar”, duke përmbushur pritshmëritë e shumta politike nga të gjitha anët. Bashkë me Tim Walz, kandidatin e saj për nënpresident, ajo e ka kthyer fushatën zgjedhore sa në një betejë të forte aq dhe në një shfaqje të madhe të kohezionit politik, duke filluar me të qeshurën e saj tipike dhe entusiazte.

Kjo i ka krijuar shumë telashe rivalit të saj, ish Presidentit Trump, i cili po e merr me shumë vështirësi kthesën, duke ndryshuar stategjinë dhe taktikat zgjedhore. Deri tani, i “kapur gafil” ai është mjaftuar pa sukses me sulme dhe inate personale, me shpifje, mllefe dhe kërcënime me rreziqe imagjinare. Debate dhe polemikat do të ashpërsohen gjatë 75 ditëve të mbetura. Ashtu siç premtoi në fjalimin e vet të zjarrtë dhe frymëzues, deri në fitoren e prishme, e cila gjithsesi nuk mund të merret si e mirëqenë, Kamala Harris do të përqëndrohet në disa tema delikate, ku Trump ka ende një farë epërsie, e sidomos në programin, premtimet dhe zotimet ne fushën e ndjeshme të ekonomisë, të migrimit të paligjshëm dhe në fusha të tjera jetike.

Gjithsesi, më e rëndësishme këtu është se në kushtet e tanishme të përshkallëzimit të ekstremit të djathtë, populizmit, të dhunës dhe konflikteve ushtarake, Kamala Harris na tregon se politika nuk e ka humbur besimin publik, ca më pak kur ajo bëhet në forma dhe formate tërheqëse për njeriun e thjeshtë dhe nga liderë me ide dhe vizione të reja gjithëpërfshirëse.

Kjo dukuri merr vlera të veçanta, sidomos kur mendon se Harris nuk “ po ecën në shtigje të paçelura” . Bindesh për këtë model dhe moment epokal fitues kur i referohesh dhe shumë rasteve të mëposhtëme pikante të ngjashme të mëparshme.

Duke qëndruar në SHBA, padyshim që Presidenti emblematik John Kenedi krijoi një model unik emblematik, edhe pse qëndroi jo më shumë se 3 vjet. Ai u fut dhe shkëlqeu në politikën amerikane dhe atë botërore si përfaqësues i brezit të ri, të rritur në paqe, që nuk e njohu luftën, i pari president katolik dhe i martuar me një grua të bukur dhe fisnike, e cila përforcoi dhe më tej imazhin e çiftit të famshëm presidencial dhe Amerikën e re. Ndonëse erdhi në majat e politikës si shpresa amerikane për paqe, ai diti ta shmangë shumë mirë luftën dhe kërcënimet e bllokut sovjetik.

Në ato gjurmë, hyri fuqishëm dhe bindshëm në garën presidenciale më 1992

Bill Clinton, duke mposhtur presidentin Bush, veteran i luftës dhe një nga baballarët e ribashkimit gjerman dhe europian. Por narrativa, performanca dhe oratoria e tij, krahas respektit për të kaluarën e Bushit evidentuan epërsinë e Clinton, fjalorin paqësor dhe miqësor ndaj ekonomisë, e cila njohu lulëzim të plotë.

Në Britaninë e Madhe, më 1945, për çudinë e të gjithëve, emblematiku Churçill humbi zgjedhjet parlamentare ndaj laburistit Clement Attlee. Mirëpo kjo shpjegohej me faktin se populli që i dha besimin për fitoren në luftë, nuk kishte shumë besim se Çurcilli do ta bënte aq mirë dhe paqen, ndaj atë ia lanë opozitës. Mbas shumë viteve të laburistëve, më 1979 Margaret Thatcher doli gruaja e fortë, e hekurt me privatizimin total mbas dështimit të nacionalizimit. Mirëpo dhe e djathta atje si të thuash “ u bë bozë” mbas gati 20 vitesh të konservatorëve. Britania kërkonte një lider të ri, karizmatik, me një fabul të re udhëheqëse. Këto cilësi dhe standarde fituese i plotësonte Tony Blair, i cili doli bujshëm me tezën e “ New Labour” dhe “ rrugën e tretë” social -demokrate; dhe shumica i besoi atij për një dekadë të tërë.

Në Spanjë mbas gati 40 vitesh të frankizmit, fashizmit dhe të djathtës së moderuar, në atë fillim të viteve 80 kërkohej një ndryshim në përmbajtjen dhe formën e politikës, në artikulimin dhe sjelljen publike; mbi të gjitha, kërkohej një lider i ri popullor që të ngjallte optimizëm, të linte pas të kaluarën dhe të krijonte një të tashme dhe të ardhme pa tronditje për Spanjën. Ky ishte 42 vjeçari Felipe Gonzales, socialist në ilegalitet qysh më 1963 që drejtoi vendin gjatë viteve 1982 – 1996.

Ndërsa në Çekosllovaki shpresat dhe pritshmëritë për një shoqëri të re tashmë perendimore, në paqe, pa ideologji dhe demokraci nuk mund t’i përmbushte dikush tjetër më shumë dhe më mirë se shkrimtari, Vaclas Havel, i cili qëndroi 13 vite si president i vendit, i nderuar kudo dhe pas pensionimit politik deri në ditën e fundit të jetës. Siç e përshkruan aq bukur Milan Kundera “jeta e Havelit është vepër arti”.

Po ashtu në Poloni, mbas Les Valesës, narrativave të anti-komunizmit dhe sundimit të egër të së djathtës, ndihej etja për më shumë liberalizëm, paqe, miqësi dhe bashkëpunim. Këtë ofertë të larmishme politike e ofroi në vitin 1995 ish Presidenti i ri Aleksandr Kvasnevski, social-demokrat “24 karat”, me distancimin nga komunizmi, por me kujdes që “ bashkë me ujët e banjës të mos hidhej poshtë dhe fëmija”, me qëndrime të matura në mënyrë që ekonomia e tregut të mos e bënte të tillë dhe shoqërinë. Kvasnevski ushtroi me sukses dy mandate presidenciale.

Në Italinë fqinje, shembullin më të freskët të modelit “Harris” por nga e djathta e skajshme e jep Giorgia Meloni, e cila në zgjedhjet europiane më 2020 siguroi vetëm 6 për qind të votave ndërsa në qershor 2024 i katërfishoi ato! Në tetor 2022 ajo u bë Kryeministrja e parë grua e vendit. Thjeshtë, pa bujë, si grua, bashkëshorte, nënë, motër, shoqe, mbrojtëse e traditave dhe zakoneve më të mira italiane, me premtimin për për bashkëpunim me BE, NATO-në, mbështetjen për Ukrainën dhe distancimin nga Kina dhe Rusia; me thjeshtësinë e saj tipike ajo mposhti “pesha të rënda” të politikës ialiane.

Dhe tani në mes të mandatit, pavarësisht problemeve, Meloni gëzon pëlyeshmëri të lartë në vend me disa reforma madhore kushtetuese që synojnë shmangien e krizave të shpeshta qeveritare.

Tani vlen të theksojmë se nevoja për një lider të ri të tipit Harris ka dalë dhe më shumë në pah në dy vendet e mëposhtëme që janë dhe boshti/motorri i BE-së.
Në Francë, “Tubimi Kombëtar” i Lë Penit në zgjedhjet europiane në muajin qershor fitoi dy herë më shumë vota se centristët e Presidentit Macron. Mirëpo ky i fundit, u ngut në mënyrë të çuditshme duke shpallur zgjedhjet e parakohshme “ rrufe” brenda një muaji; ç’është më e keqja, pa patur “ nën mëngë një AS” politik dhe zgjedhor të tipit Kamala Harris. Për pasojë, rezultatet e këtyre zgjedhjeve më tepër “ prishën se sa ndreqën punë”. Dhe tani Macron i duhet të vuajë shumë për një qeveri të re, veç jo më të tijën si deri dje dhe me më pak “ aksione qeveritare” Meqenëse gjasat janë që vitin e ardhshëm francezët të shkojë sërish në kutitë e votimit, veç De Golit, Mitterandit dhe Chirakut, forcat progresive duhet të gjejnë “një Kamala Harris”, ndryshe gjërat atje vërtet që do të “ bien nga shiu në breshër!”.

Po aq, ndoshta dhe më shumë, një model dhe moment i tillë historik dhe fitues i duhet Gjermanisë, një vit përpara zgjedhjeve të reja të përgjithshme, që do të jenë përcaktuese për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Vërtet që shembuj emblematikë si ato që u përmendën më lart nuk mungojnë as në Gjermani. Kështu, mbas 12 vite të sundimit nazist Hitlerian dhe 5 viteve të tjera të trazuara mbas lufte, më 1949 Gjermania zgjodhi Kancelarin e saj të parë, Konrad Adenauer, “babai” i Gjermanisë së re demokratike për 14 vite rresht. Ai bëri epokë me pajtimin historik me Francën, krijimin e BE-së, etj. Për të ardhur te “ Kenedi” gjerman më 1969, ish Kryebashkiaku i Berlinit Perendimor, Willy Brandt, i cili, me karizmën e pashoq, me Ostpolitik dhe kushtrimin madhështor të rimuar në zgjedhjet e vitit 1969 “ Gjermanë, ndihuni krenarë për vendin tuaj, Deutschland dhe votoni për Willy Brandt” Atë vit, SPD-ja gjermane siguroi shifrën rekord prej 45 për qind të votave. Për të ardhur te Kohl i madh që në 16 vitet e kancelarisë së tij u bë “ Babai i ribashkimit gjerman dhe europian”. Ndërkohë, në vitin 2005, gjermanët me shumicë kërkuan një kancelare të qetë, gjakftohtë, pa bujë dhe zhurmë, pa debate dhe polemika. Këto cilësi i mishëronte Merkel, e para Kancelare grua nga lindja dhe nga familje e thjeshtë, e cila udhëhoqi vendin dhe Europën për 16 vite rresht.

E kundërta po ngjet tani, kur ekstremi i djathtë po kërcënon seriozisht demoracinë gjermane, kur ka lindur sërish nevoja për një lider të fortë, karizmatik, me guxim dhe vision politik, që të ngjallë besim dhe entusiazëm. Siç tregojnë qartë dhe sondazhhet e fundit, këto cilësi nuk i përmbush Kancelari social-demokrat Olaf Scholz, me përqasjen e tij “tërhiq e mos e këput” dhe gjuhën “ as mish as peshk”; Por as lideri i opozitës, Friedrich Merz, i pranishëm mbas një shkëputjeje 15 vjeçare në politikën gjermane tash 45 vjet. Por, për fat të lirë, kanë dalë në pah me pëlqyeshmëri tejet të lartë Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe kryeministri I Bavarisë, Markus Soder nga opozita federale, të cilët ngjallin besim si fitues të mundshëm, si në rastin e Kamala Harris. Tani mbetet për t’u parë nëse Scholz dhe Merz do të ndjekin shembullin e Presidentit Biden duke i hapur rrugën si kandidatë të ardhshëm për Kancelar Pistoriusit dhe Soderit.

Së fundi, ndonëse momentet janë, modelet e përmendura, e sidomos ai i Kamala Harris, me përjashtim ndoshta të Kosovës nuk shkon dhe nuk ka gjasa të eci në rajonin dhe vendin tonë. Kjo mbasi në 34 vitet e fundit, politika shqiptare dashur pa dashur ka ngritur në piedestal kultin e individit, pothuajse si dikur në monizëm, duke ngushtuar dhe praktikisht duke mënjanuar çdo hapësirë për afirmimin e liderëve të rinj dhe premtues. Jo se nuk ka apo nuk gjinden, por në demokracinë tonë me shumë epitete të pakëndshme, ata e kanë të pamundur të afirmohen dhe promovohen për shkak të shumë pengesave, pa përjashtuar ndikimin e madh të krimit dhe korrupsionit që po shtrohen këmbëkryq dhe në politikën e përditshme.

Ndaj ky model tingëllon si “luks” politik dhe social i paarritshëm për ne, jo vetëm për tani, por mesa duket dhe për një të ardhme të paparashikueshme.
Për pasojë, shembullin historik që ka krijuar Kamala Harris na mbetet vetëm ta përcjellim me admirim dhe urimet më të mira, si dhe me keqardhje që nuk kemi modele dhe momente të tilla premtuese, fituese dhe frymëzuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: