TIRANE – Dy persona të armatosur kanë grabitur një market në qendër të Kamzës. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, kur grabitësit kanë kërcënuar me automatik djalin 16-vjeçar të pronarit të marketit, dhe më pas kanë arritur të marrin xhiron ditore dhe të gjitha kartat rimbushëse. Me të marrë njoftimin për ngjarjen, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.
Një ditë më parë në Berat, pre e grabitësve të armatosur ka rënë një pikë karburanti, në Lumas. Dy persona të maskuar kërcënuan me armë punonjësit e karburantit dhe arritën të merrnin të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, rreth 350 mijë lekë.
Ndërkohë tre ditë më parë në kryeqytet, u grabit edhe kompania “Neranxi”. Ngjarja ndodhi në autostradën që lidh Tiranën me Durrësin, teksa dy persona grabitën nën kërcënimin e armëve zyrat e kësaj kompanie. Nga të dhënat e policisë thuhet se në total dy grabitësit kanë mundur që të marrin 123 mijë lekë të reja dhe 82 euro nga arkat e kompanisë. Grabitja është filmuar nga kamerat e sigurisë, në të cilat shfaqen edhe autorët e grabitjes, të cilët janë larguar me shpejtësi pas grabitjes me një automjet tip “Benz”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: