Moti i keq me reshje bore që ka përfshirë zonat Dibër, Kukës, Rrugën e Kombit, Shkodër, Korçë dhe Qafë Thanë ka shkaktuar dhe incidente sic është rasti i një kamioni në aksin Strugë–Qafë Thanë i cili ka rrëshkitur duke bllokuar përkohësisht rrugën.
Policia e Shtetit thotë se autoritetet maqedonase kanë ndaluar përkohësisht qarkullimin e mjeteve në hyrje të territorit të tyre, deri në zhbllokimin e aksit.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë të gjitha në terren për të orientuar e ndihmuar përdoruesit e rrugës dhe për të monitoruar lëvizjen e automjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.Për shkak edhe të fushëpamjes së kufizuar gjatë natës, Policia Rrugore apelon për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të rrisin vigjilencën, të moderojnë shpejtësinë dhe të vendosin rripin e sigurimit.
“Të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë Rrugore në rast nevoje, të cilat ndodhen në terren.
Ndërkohë, borëpastrueset vijojnë intensivisht punën për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës, dhe të gjitha akset rrugore janë të hapura.
Në rast nevoje, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë”, thotë policia e Shtetit në njoftimin zyrtar për mediat.
(BalkanWeb)