TIRANE- Kur përflitet se në vendin tonë do të ngrihet një qendër për rehabilitimin e ish-terroristëve të ISIS, vjen një reagim nga kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu.

Sipas tij qendra për luftëtarët e huaj të ISIS në Shqipëri përbën një kërcenim për shqiptarët dhe rajonin.

“Siguria kombëtare nuk ka qenë asnjëherë më e rrezikuar. Pjesëmarrja e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit si vend anëtar i NATO-s është domosdoshmëri dhe për më tej një nevojë e brendshme, duke konsideruar faktin se ka pasur rreth 140 Foreign Fighters të ISIS nga Shqipëria që kanë shkuar drejt Sirisë. Kjo tregon se ka pasur dhe ka një terren konkret të rekrutimit dhe veprimit të strukturave terroriste dhe lidhjeve të tyre në vend. Ndalimi para disa kohesh i aktit terrorist kundër ekipit kombëtar të Izraelit tregon qartë që strukturat terroriste janë aktive në Shqipëri dhe rajon. Finacimet për radikalizmin e fesë Islame me lidhje terroriste kanë qenë prezente. Të gjitha këto të dhëna përbëjnë kërcënim serioz për Sigurinë tonë kombëtare. Çdo ide për të ngritur një qendër në Shqipëri për rehabilitimin, grumbullimin e Foreign Fighters të ISIS të kthyer nga Siria, apo qendër refugjatësh është një hap shume i rrezikshëm i pamenduar dhe kërcënues për Shqipërinë dhe rajonin.

Së pari strukturat e sigurisë dhe të rendit në Shqipëri janë të dobëta dhe të korruptueshme.

Se dyti me gjithë arritjet e Shërbimeve tona të Inteligjencës, ato akoma nuk janë në nivelin e shërbimeve të vendeve më të zhvilluara, si nga baza e të dhënave që disponojnë (pjesën më të madhe të të dhënave për individë me lidhje terroriste e marrin si informacion nga shërbime partnere), po ashtu dhe nga niveli teknologjik që përdorim dhe për më tepër nga kualifikimi i personelit të shërbimit me gjithë respektin për punën e tyre.

Se katërti, rritja e influencës së krimit të organizuar, trafikut të drogës, korrupsionit lidhjet me qeverinë, krijon një potencial jashtëzakonisht të rrezikshëm të lidhjes së terrorizmit me krimin e organizuar, që do të kishte pasoja të mëdha për Shqipërinë dhe rajonin.

Qeveria duhet të lerë aventurat për interesa momentale politike. Sot siguria jonë kombëtare është më e rrezikuar se kurdoherë. Gjeopolitika me Ballkan me rritjen e influencës Ruse, shqetësimet për rritjen dhe kontrollin e Turqisë, (jo për interesa të partneritetit strategjik, por të mirëfillta të kontrollit politik, siç shprehen liderat evropianë), aktivizimi i shërbimeve të Iranit edhe për shkak të MEK, trafiku i drogës dhe pastrimit I parave janë kërcënime serioze, me të cilat duhet të merremi seriozisht. Siguria kombëtare nuk është vetëm çështje e Edi Ramës apo qeverisë, ajo i takon parlamentit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti Meta duhet që urgjentisht të kërkojë të gjithë informacionin për këto lajme, qëndrime apo larg qoftë vendime të Ramës.”, tha Mediu.

Kujtojmë se për kampin në fjalë ka reaguar edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili theksoi se nëse ky vendim pranohet, atëherë shërben si një karamele në gojën e hidhur të Europës, me pretendimin që qeveria të mbulojë skandalin ‘Tahiri’ dhe ‘Xhafaj’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: