TIRANE– Kampi i internimit në Tepelenë, ka shkaktuar së fundmi debat ndër historianë e personazhe të tjerë të jetës publike. Për kampin e Tepelenës për fat të keq ka pak dokumente sepse regjimi e ka zhdukur dosjen, por krimi ka lënë gjurmë.

Historiani Pëllumb Xhufi është i mendimit se kampi i Tepelenës nuk ka asnjë ngjashmëri me kampin famëkeq të Aushvicit dhe ishte më i miri në Shqipëri. I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në News24, Pëllumb Xhufi tha se raporti i tij bazohet tek dokumentet e CIA-s dhe rrëfimet e të mbijetuarve.

“Unë citova një dokument të CIA-s të vitit 1953 që ka informacion të detajuar. Pra nuk janë deklarata të miat. Thuhet se i kam thënë unë këto fjalë se ky kamp ka qenë me kushte më të mira se të tjerët, apo se edhe ka qenë dhe kamp pushimi etj, etj. Problemi nuk është ky. Unë shoh se askush nuk e ka prekur thelbin e çështjes. Nuk jam kundër që të bëhen të vizitueshme këto kampe, por unë quaj të vizitueshme burgun e Burrelit apo të Spaçit ku janë internuar njerëz intelektualë që kanë kundërshtuar regjimin e Enver Hoxhës. Këto mund të kthehen në qendra muzeale historike, jo Tepelena. Kam dëgjuar dhe zëra nga shoqatat se burgu i Burrelit dhe i Spaçit nuk duhet lënë në mëshirë të fatit. Unë nuk e di pse ka një alergji ndaj burgut të Spacit.

Më thanë që ka shkruar njëri që ka qenë në atë kamp dhe ai ka thënë që kampi i Tepelenës nuk ka qenë aq i keq. Ky zotëria thotë se isha në Turan të izoluar dhe në kushte mizerabël dhe erdhi një kontroll dhe vunë duart në kokë me atë që panë. Më pas thotë që na çuan në kampin e Tepelenës dhe atje kushtet ishin më të mira. Unë njoh shumë të persekutuar dhe unë mendoj se historia e 300 fëmijëve të vrarë në kampin e Tepelenës nuk është e vërtetë”- tha Xhufi.
20180403-211901
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: