ZVICER– Kampioni i dyfishtë botëror i thaiboksit, Valdet Gashi me qëndrim në Zvicër rezulton të jetë rekrutuar në radhët e ISIS-it, ushtrisë terroriste të shtetit islam në Siri. Kështu bën të ditur televizioni zviceran në gjuhën frënge “srf.ch”, duke promovuar emisionin e sotëm “Rundschau”, ku do të bëhet fjalë për Gashin dhe për të rinjtë e tjerë nga Zvicra të përfshirë në IS, transmeton “Albinfo”.

Sipas “Rundschau”, të gjithë xhihadistët e njohur nga Winterthuri, para se të shkonin në Siri, kanë ushtruar te Valdeti, në “Qendrën Islamike Sporteve Luftarake” MMA-Suna.

Siç është shkruar shumë në mediat zvicerane, nga viti i kaluar e deri më tani, nga qyteti i Winterthurit kanë shkuar për të luftuar në Siri një numër i konsiderueshëm të rinjsh me prejardhje shqiptare, kurde, etj. Por, në mesin e tyre është edhe një zviceran i konvertuar në islam, Christian, i njohur si Sandro, shkruan “Illyriapress”.

Valdet Gashi, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka shprehur ngushëllime për “shokun kurd”, të riun nga Winterthuri, Hajan, i cili ishte vrarë në luftime. Me këtë rast ai ka shprehur dëshirën të bashkohet me të, në “Qiellin e shtatë” (Jannh-al-firdaus).

Dhe, në fakt, nga janari i këtij viti Valdet Gashi i është bashkuar organizatës terroriste islamike.
Për disa muaj, ai e ka mbajtur sekret vendqëndrimin e tij, ndërsa familja e tij që jeton në Singen (Gjermani) besonte se ai gjendet në Tajlandë. Por, ka qenë emisioni emisioni “Rundschau” i televizionit zviceran që e ka kontaktuar atë në Siri.

Në një bisedë telefonike, Gashi ka pranuar se është mishëruar me ideologjinë e IS-it. Natyrisht, ai ka thënë se do të dëshironte të ishte me fëmijët e tij (është baba i dy vajzave) dhe t`i mbante në krahë ato, por do të ishte i lumtur edhe të vdiste.

“Nëse vdes duke e bërë një të mirë, unë do të jem natyrisht i lumtur me këtë”, citohet të ketë thënë ai.

Angazhimi i tij konkret në Siri është patrullimi përgjatë Eufratit, ku gjurmon trafikantët dhe spiunët. Vendqëndrimi i tij është qyteti Membij, ku është takuar edhe me zviceranin Christian, i cili është bërë i njohur me xhirimin duke ia prerë kokën një kundërshtari.

Familja e Valdetit, e kontaktuar nga srf, ka thënë se është vendosmërisht kundër ideologjisë që ka zgjedhur i biri. Por, nëse ai e ndryshon mendjen dhe vjen këtu, gjithmonë e ka një vend në gjirin e familjes”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: