TIRANE- Do të jenë rreth 400 milionë lekë të cilat do të shkojnë për investime këtë vit në Bashkinë e Kamzës. Ndër më të rëndësishmet janë ndërtimi i tetë rrugëve të reja në; ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në 10 rrugë; hapja e hapësirave publike; blerja e pemëve dekorative; investime në rrjetin e ujësjellësit; e të tjera investime që do të shkojnë në dobi të komunitetit dhe do të përfshijnë çdo lagje apo zonë të Kamzës.

Në vitin 2015 pritet të realizohen disa investime publike, fondi i të cilave është parashikuar në buxhetin e vitit 2015. Në këtë buxhet që u miratuar më datë 24 dhjetor 2014, përqindja e që do të shkojë për investime është 54%. Pra, pjesa më e madhe e tij do të jetë në shërbim të qytetarëve, duke u përkthyer në realizime objektesh të infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellës-kanalizimeve.
Parashikohet që në vitin 2015 të jenë rreth 400 milionë lekë të cilat do të shkojnë për investimet. Siç edhe është bërë e ditur gjatë kësaj periudhe në faqet zyrtare në Web dhe Facebook, së shpejti përfundon ndërtimi i dhjetëra rrugëve në lagje të ndryshme të qytetit, të cilat janë investime në vazhdim. Këtyre do t’u shtohen dhjetëra investime të reja, të mundësuara nga të ardhurat e vetë Bashkisë, të cilat nga viti në vit kanë ardhur duke u rritur dhe të cilat mbeten burimi kryesor i buxhetit përkundrejt granteve të qeverisë që kanë ardhur në pikën zero.
Rruga “Apolonia” e cila do të ndërtohet së shpejti, gjendet në Bathore në pjesën lindore të Bashkisë Kamzë dhe kufizohet nga rrugët “Besëlidhja” në lindje të saj dhe rrugën “Azem Hajdari” në perëndim.
Zona që përfshin këtë projekt përfaqëson një zonë urbane relativisht e dendur veçanërisht me ndërtime 1 deri në 4 kate. Në rrugët “Ndroq” dhe “Banka Botërore” në lagjen nr. 4 Bathore, Bashkia Kamëz do të realizojë projektin e ndërtimit të rrjetit të KUN-së, me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2015.
Ndërtimi i këtij rrjeti KUN në rrugët e mësipërme ka një rëndësi të madhe sociale e mjedisore, pasi kanali në këtë zonë shtrihet pranë banesave dhe duke qenë një kanal i hapur, në të derdhen ujëra të zeza e të bardha.
Së shpejti lagjes së Laknasit do t’i shtohet një tjetër investim. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura (KUN) në rrugën “Muharrem Bajraktari”.
Edhe pse me mungesën e financimeve nga ana e pushtetit qendror, Bashkia ka parashikuar në buxhetin e këtij viti ndërtimin e disa segmenteve rrugore, të shpërndara në zona të ndryshme të qytetit. Një nga ato është vazhdimi i rrugës “Reçi”, e cila është një arterie lidhëse e rrugës “Vëllazërimi” me rrugën kryesore “Elez Isufi”, që lidh zonën e lagjes 1 në Bathore për të depërtuar më në thellësi të saj.
Gjatë vitit 2015 do të realizohet një tjetër investim i rëndësishëm për qytetarët e Bashkisë Kamzë. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugët “Miqësia” (segmenti 2) dhe “Monarkia Shqiptare” deri te rruga “OSBE”. Me realizmin e këtij investimi i jepet zgjidhje problematikës së mprehtë të kanalizimeve në këtë zonë, e cila është mjaft e gjerë dhe përfshin një numër të konsiderueshëm banorësh. Në këtë mënyrë përmirësohet dukshëm edhe infrastruktura në zonën e mësipërme.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb