TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka marrë pjesë në analizën e 100 ditëve të para të qeverisjes së re vendore në Kamëz, ku ka përshëndetur punën e bërë deri tani dhe ka inkurajuar zhvillimin e kësaj zone njësoj si kryeqyteti.


Balla dha edhe një mesazh politik nga Kamza duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme vendore do të jenë në qershor të vitit 2023.
Kreu i grupit parlamentar të PS, nxiti gjithashtu si drejtuesit e bashkisë ashtu edhe banorët në luftën kundër informalitetit duke iu bërë thirrje të paguajnë faturat e ujit dhe dritave.


“Ne duhet ta vendosim Kamzën dhe në të njëjtën linjë zhvillimi sikurse kemi vendosur Tiranën. Sepse Europa e Bashkuar ka në themelin e vet këtë model të njëtrajtshëm. Tirana, Kamza, Vora dhe Durrësi duhet të jenë në të njëjtin ritëm zhvillimi. Ky është segmenti më i rëndësishëm ekonomik i vendit. Nga Tirana në Durrës është më shumë se 60% e PBB të vendit. Të njëjtin shërbim siç marrin qytetarët e Tiranës, duhet të marrin dhe qytetarët e Kamzës, Vorës e Durrësit. Kjo është një zonë shumë e rëndësishme, zonë me burime njerëzore. Dua t’ju nxis të gjithëve, banorëve të Kamzës që formalizimi jo vetëm i bashkisë duhet të bashkëshoqërohet me luftën kundër informalitetit kudo. Fatura e ujit të pijshëm duhet të paguhet, fatura e energjisë elektrike po ashtu”, deklaroi Balla.


Ai theksoi se këto 100 ditë janë prova e qartë se si duhet të ndryshojë kjo bashki në drejtimin e duhur. “Siç thotë popullit, dita duket që me sabah, besoj që mëngjesi i këtyre 4 viteve në krye të bashkisë nga ana e Rakip Sulit është gjest që tregon një superangazhim. Jam shumë i sigurt se është fillim i mbarë. Zgjedhjet e ardhshme vendore janë në qershor të vitit 2023, për ndonjërin që nuk e ka fiksuar akoma”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: