Policia e Beratit ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga pesë persona, mes të cilëve edhe një inspektor policie.

Sipas uniformave blu, personat e arrestuar kanë mbushur me kanabis shumë zona të jugut, nga Berati deri në Mallakastër.

Inspektori i arrestuar është 51-vjeçari L. Xh., i cili shërbente në Komisariatin e Policisë së Mallakastrës, aty ku grupi i goditur nga policia ushtronte aktivitetin kriminal të kultivimit të kanabisit.

Njoftimi i policisë:

Berat

Finalizohet operacioni i koduar “Gjerbës”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike

Operacioni nga Komisariati i Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mallakastër dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

Ndalohen 5 shtetas për kultivim të bimëve narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe pas një hetimi dymujor të bërë nga ana e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mallakastër dhe SHÇBA-në, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, u finalizua operacioni “Gjerbës”, si rezultat i të cilit u kapën dhe ndaluan 5 persona, konkretisht:

P. R., 53 vjeç, banues në Berat;
G. Xh, 34 vjeç, banues në Mallakastër;
A. S., 44 vjeç, banues në Mallakastër;
L. Xh., 31 vjeç, banues në Mallakastër;
L. Xh., 51 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Komisariatin e Policisë Mallakastër.

Për këta shtetas gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Osmënzezë, Berat, në Gjerbës dhe Selitë, Mallakastër, bimë të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar më parë nga Policia, gjatë kontrollit të pandërprerë të territorit.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, në bashkëpunim” ndërsa për punonjësin e Policisë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb