Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, foli për zbulimin e parcelës me kanabis në repartin ushtarak në Zall Herr në Tiranë dhe arrestimin e tre ushtarakëve.
Softa u shpreh se ky rast është një kambanë alarmi për funksionalitetin e shërbimit ushtarak në vend, teksa tha është cenuar sistemimi i sigurisë kombëtare dhe imazhi i Shqipërisë.
“Reparti i Zall Herrit është repart special dhe forcat e tij janë elitë. Ky ka qenë një nga repartet që ne jemi mburrur për nivelet dhe kapacitetin, ndërkohë sot flasim për mbjelljen e kanabisit. Janë cenuar elementet e sigurisë kombëtare dhe imazhi i Shqipërisë nga ky rast.
Mendo për një shtet ku brenda reparteve nuk janë të përfshirë vetë, por kanë hyrë të tjerë. I bie që nuk kontrollon dot territorin. Kur nuk kontrollon dot territorin, çfarë do bëjmë? Ky shërbim i ushtrisë nuk është funksional. Si do kontrollosh kufijtë e vendit? Nëse do kishte sulm ndaj këtij repart, çfarë do thuhej? Po kur s’kemi pasur drone si e kem kontrolluar territorin? Pra, ka të bëjë me zinxhirin funksional. Zbritja në territor dhe kontrolli i tij, quhet kontroll i plotë i territorit. Po shohim elementë që duken rastësore, por nuk janë të tilla. Është një kambanë që tregon brenda këtij sistemi kemi probleme. Duhet kontrolluar çdo pjesë e territorit. A ka kulla vrojtimi? Tek ka në det, si nuk ka në të tilla raste në reparte ushtarake? Duhet të kontrollohen bazat, repartet. Nuk mund që Policia e Shtetit të kontrollojë ushtrinë, kur në shumë vende të botës, ndodh e kundërta, pasi ka peshë dhe forcë më të madhe.
Një repart ushtarak ka një zinxhir dhe në hetim janë marrë tre elemente fundor. Ku është përgjegjësi?”, u shpreh Softa.
(BalkanWeb)