Gazetari i njohur Artan Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur edhe për kultivimin e kanabisit në vend, duke u shprehur se kultivimi është fokusuar më së shumti në zonën e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.

Sipas Hoxhës, kultivimi i kanabisit është përqendruar kryesisht në këto zona. Ai ka theksuar se ka pasur një orientim të qartë për të mos toleruar asnjë bimë kanabisi, me kërkesën për ndihmë nga autoritetet italiane dhe dërgimin e helikopterëve për të monitoruar situatën. “Sasia që është korrur deri më tani më ka çuditur,” ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka theksuar se zona e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe ka përjetuar një “super kultivim” të kanabisit, me raporte për përplasje me forcat e rendit. “Janë goditur edhe helikopterët e policisë që kanë qenë në monitorim,” ka raportuar ai, duke sugjeruar se situata është e ndërlikuar dhe e rrezikshme.

Gazetari ka nënvizuar se ky nuk është një kultivim i thjeshtë, por një operacion i organizuar që përfshin roje të armatosur. “Kanë roje të armatosur që gjuajnë edhe drejt policisë,” ka theksuar Hoxha, duke e përshkruar situatën si një sfidë të madhe për forcën e rendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb