Depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, jo sezonale, në qershor 2012, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit. Rritja, në pjesën më të madhe erdhi nga largimi i depozitave nga bankat greke, si rrjedhojë e frikës së daljes së Greqisë nga euro në prag të zgjedhjeve të asaj kohe.
Me emigrantët shqiptarë në Greqi, që vlerësohet se kanë kursime që arrijnë deri në 2 miliardë euro, një pjesë e parave të larguara nga shteti fqinj erdhi në Shqipëri. Historia duket se po përsëritet, megjithëse në përmasa më të vogla. Kursimtarët dhe bizneset greke po tërheqin para nga bankat me ritme që nuk ishin parë që nga kulmi i krizës së mesit të vitit 2012. Mediat e huaja raportojnë se sistemi bankar greke ka të ngjarë të kërkojë një linjë emergjence huaje, teksa kursimtarët po i tërheqin eurot e tyre, si rrjedhojë e frikës së një krize të re.
Ministri grek i financave ka nxituar të thotë se sistemi bankar është i sigurt, megjithëse ai ka pranuar se po shtohen evidencat se të pasurit po transferojnë para jashtë vendit. Vetëm në dhjetor 2014 vlerësohet të jenë larguar 2.5 miliardë euro.
“Probabiliteti i një largimi të parave nga bankat është shumë i vogël; publiku e kupton që depozitat janë të sigurta”, tha ai, duke shtuar se rreth 70 miliardë euro janë larguar nga vendi që kur kriza ekonomike shpërtheu pesë vjet më parë. Ndonëse Shqipëria mund të përfitojë nga kjo valë e parë e largimit të parave nga Greqia, duke pritur një pjesë të tyre, në një afat më të gjatë, nëse kriza në vendin fqinj përshkallëzohet dhe shteti helen rrezikon daljen nga euro, kanalet e infektimit në Shqipëri do të jenë disa: ¬Rreziku i parë lidhet me ndikimin që mund të ketë situata e paqartë në ekonominë e Greqisë, që është tashmë e dobësuar nga recesioni, që po zgjat prej gjatë vitesh.
Ndonëse Shqipëria i ka diversifikuar marrëdhëniet tregtare, duke u orientuar drejt shteteve të tjera, sërish lidhjet e bizneseve të jugut me Greqinë janë të forta, ndërsa tregtia është gjallëruar sërish muajt e fundit. Më i ndjeshëm do të jetë ndikimi përmes kanalit të emigrantëve, papunësia tek të cilët mund të rritet, duke i detyruar të kthehen në atdhe, ose të dërgojnë më pak remitanca. Greqia është shteti më i madh, ku jetojnë e punojnë emigrantët shqiptarë, me mbi 500 mijë të tillë.
Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë.
Nëse shteti grek vijon në bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri. ¬Rreziku i dytë lidhet me përhapjen e krizës në të gjithë eurozonën. Përvoja e pas 2008¬-ës ka treguar se ndonëse Shqipëria nuk është e integruar shumë financiarisht me eurozonën, ajo nuk është e imunizuar ndaj tronditjeve të saj. Një tjetër krizë në eurozonë, e shoqëruar me një zgjatje të recesionit do ndikonte dhe Shqipërinë, që ka si tregun kryesor të eksporteve dhe importeve të saj, pikërisht Bashkimin Europian (përkatësisht me 61% të importeve dhe 78% të eksporteve).
¬Kanali tjetër i ndikimit është përmes sistemit bankar. Sipas Monitor, një përshkallëzim i krizës financiare në eurozonë do t’i bënte bankat me kapital perëndimor më të kujdesshme ndaj bijave të tyre në Europën Juglindore, një dukuri që pas një qetësimi në 2013¬-ën dhe pjesën e parë të 2014-ë¬s u përkeqësua sërish në muajt e fundit, duke e dhënë efektin në tërheqjen e bankave nga kreditimi dhe financimi i borxhit të qeverisë shqiptare. Bankat me kapital grek, nga ana tjetër, janë nën dilemën e mëmave, të cilave po u kërkohet nga Banka Qendrore Europiane që të zvogëlojnë ekspozimin e tyre në rajon. Në fund të tremujorit të tretë 2014, pesha e aktiveve të bankave me kapita grek përbënte 17% të totalit të sistemit. Gjithsesi, bankat me kapital grek në Shqipëri janë të pavarura nga mëmat, teksa burimet kryesore të financimit, ato i sigurojnë nga depozitat dhe jo nga linjat e mëmave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: