TIRANE-Menjëherë pas konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Kancelarja Gjermane Angela Merkel, ndaloi në Presidencë ku zhvilloi takimin me Presidentin Bujar Nishani.

Takimi zgjati 25 minuta dhe u zhvillua pa pranine e kamerave. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet në emër të qytetarëve shqiptarë për vëmendjen e mbështetjen që Kancelarja Merkel dhe Gjermania në tërësi po i japin vendit tonë si dhe për kontributin e madh ndër vite që institucionet dhe populli gjerman kanë dhënë për zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Duke theksuar se sot është një ditë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Kjo vizitë përbën një mesazh i rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane u shpreh se: “Jam tejet e impresionuar nga përparimi i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990-të, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike nga jeni nisur dhe çka keni arritur deri më sot”.


Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se: “Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët.”


Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Presidenti siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar Kancelaren për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Zonja Merkel veçoi reformën në drejtësi si çelësin e këtij suksesi, për të cilën Gjermania do të vazhdojë të japë ndihmën maksimale.


Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, dhe veçanërisht rritja e investimeve direkte gjermane, ishte një prej temave të tjera të diskutuara mes Presidentit Nishani dhe Kancelares Merkel. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se: “Investitorët gjermanë do të gjejnë tek Kryetari i Shtetit shqiptar një zë të fuqishëm dhe mbështetës”, duke shpresuar që kjo të ndodhë sa më parë.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se ka mundësi dhe shanse për bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, duke parë tek Shqipëria potencialin për një të ardhme të shkëlqyer përpara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal, për të cilën Kancelarja Merkel përshëndeti zhvillimet pozitive dhe frymën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Duke shprehur vullnetin e Gjermanisë për ta ndihmuar rajonin në realizimin e projekteve rajonale zonja Merkel veçoi projektin e shkëmbimeve mes të rinjve, sipas modelit franko-gjerman. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria beson tek fqinjësia e mirë, paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit dhe se konsideron që vendet tona kanë një shans historik për të bashkëpunuar me vullnet të mirë.

Kreu i Shtetit u shpreh se procesi i nisur një vit më parë në Berlin, me nismën e Kancelares e që do të vijojë këtë vit në Austri, i ka dhënë një vizion dhe optimizëm të ri bashkëpunimit rajonal, duke prodhuar një komunikim, bashkërendim dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një temë tjetër me interes ishte dhe çështja e azilkërkuesve, për të cilën Kancelarja gjermane theksoi se duhet të bëhet më shumë punë për përmirësimin e kushteve ekonomike të njerëzve në vendin e tyre, dhe se shqiptarët sot janë qytetarë të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe si të tillë kërkesat për azil përbëjnë një shqetësim.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: