NGA OLA MITRE
TIRANE-Çdo vit në vendin tonë diagnostikohen rreth 100 raste të reja të kancerit të qafës së mitrës, ndërkohë që në këtë hark kohor regjistrohen rreth 35 vdekje të të prekurave nga kjo sëmundje”. Të dhënat bëhen publike nga Instituti i Shëndetit Publik në kuadër të Javës Evropiane të Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, që shënohet nga data 25-31 janar. Po ashtu, ISHP thekson se më shumë se gjysma e rasteve diagnostikohen në stadet III dhe IV, kur trajtimi është shumë i shtrenjtë dhe shumë më pak efektiv. Sipas specialistëve të këtij institucioni, ndonëse shifrat janë shumë të vogla se në krahasim me kancerin e gjirit, ka dy elemente që e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet: mosha e re e shfaqjes së sëmundjes krahasuar me kancerët e tjerë dhe humbjet shumë të mëdha në terma të viteve të jetës së humbur si dhe kosto efektiviteti i kapjes së hershme, që është më i favorshmi mes gjithë kancerave.
Shkaqet
Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është një lloj virusi i quajtur virusi i Papilomës njerëzore ose HPV (Human Papiloma Virus). “HPV-ja përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale, por mund të transmetohet edhe gjatë seksit jopenetrues nëpërmjet kontaktit genital lëkurë me lëkurë. HPV-ja është një virus, i cili pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksualë. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktivë do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktivë”, shpjegojnë specialistët.
Parandalimi
Sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë “seti” i rekomanduar për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës përfshin ndërhyrjet gjatë gjithë ciklit të jetës, duke përfshirë komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimin social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe kujdesin paliativ. “Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e kontrollit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri. Ndërhyrje të tjera parandaluese të rekomanduara për djem e vajza janë: edukimi në lidhje me praktikat e sigurta seksuale, përfshirë fillimin me vonesë të aktivitetit seksual, promovimi dhe sigurimi i prezervativëve për ata që tashmë janë angazhuar në aktivitet seksual, paralajmërimet rreth përdorimit të duhanit, që është një faktor rreziku për kancerin e qafës së mitrës dhe rrethprerja mashkullore (syneti)”, sqarojnë specialistët e ISHP-së.
Vaksina
Aktualisht është në dispozicion vaksina që siguron një mbrojtje të lartë kundër dy tipeve të HPV-së: 16 dhe 18, të njohura si shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës. Po ashtu, ajo mund të ofrojë mbrojtje edhe kundër llojeve të tjera të HPV-së, që janë më pak të shpeshta në shkaktimin e kancerit të qafës së mitrës. Por, sipas specialistëve, vaksina është efektive në qoftë se aplikohet para ekspozimit me HPV, prandaj parapëlqehet që të aplikohet para aktivitetit të parë seksual. “OBSH rekomandon vaksinimin për vajza të moshës 9-13 vjeç, para se ato të bëhen seksualisht aktive, pra përpara ekspozimit me virusin HPV. Duke pasur parasysh se barra globale e kancerit të qafës së mitrës bie rëndë në vendet në zhvillim, duhet që këto vende të fusin vaksinën HPV si pjesë e një strategjie kombëtare të shëndetit publik, për parandalimin dhe kontrollin e kancerit të qafës së mitrës”, shprehen mjekët e ISHP-së, duke theksuar se ndonëse vaksinimi redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës, të gjitha gratë të cilat janë vaksinuar, duhet të vazhdojnë të kryejnë rregullisht kontrollin për kancerin e qafës së mitrës.
Kontrolli
Kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe që ndihen të shëndetshme. Ai, gjithashtu mund të zbulojë kancerin në fazën e hershme, ndërsa specialistët e rekomandojnë për çdo grua duke filluar nga mosha 25-30 vjeç, të paktën një herë në jetë dhe në mënyrë ideale më shpesh, çdo 3-5 vjet. “Aktualisht në dispozicion janë disa lloje të ndryshme të testesh: Pap Testi, Inspektim vizual me acid acetik, testimi për lloje të HPV me rrezik të lartë dhe Kolposkopia. Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë Pap Testin rregullisht, si pjesë e kujdesit rutinë për shëndetin e tyre”, sqarojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: