Belind Këlliçi ka dorëzuar sot mandatin e deputetit gjatë fjalimit të tij në Kuvend. Mesazhet e kandidatit të Opozitës për Bashkinë e Tiranës sipas tij vijnë si një reflektim i këtyre dy viteve të angazhimit në jetën politike si anëtar i Parlamentit.

Këlliçi ka shprehur zhgënjimin për atë që ka parë dhe dëshmuar në këto kohë, ndërkohë që deklaroi se pritshmëritë e tij ishin të mëdha.

“Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri politik, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata dhe të betohet si deputet i Republikës. I thoja vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike për vendin tim. Do kem dhe unë një karrige aty ku dikur është ulur Azem Hajdari, ku ka qenë Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, aty ku sot është Sali Berisha, apo ku ka qenë Rexhep Mejdani, e ku sot vijon të jetë Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës. Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme që udhëheq vendin, hyra në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Këlliçi.

Në fjalimin që mbajti në Parlament, në seancën e dorëzimit të mandatit, Këlliçi foli për modelin që ka ofruar ajo sallë, dhe politika e në veçanti rilindja. Ai tha se e refuzon këtë model, dhe shtoi se do ta luftojë atë me sa fuqi të ketë.

“Nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit tim ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më të rënda ndaj opozitës dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë. Kurrë nuk mbajti ai përgjegjësi për punët që kanë shkuar gjithnjë e më keq në vend, për braktisjen masive e shpopullimin e vendit nga të rinjtë, për rastet flagrante të korrupsionit e abuzimit të detyrës nga njerëzit më të afërt e më të pushtetëshëm në këto 10 vite qeverisje, për thellimin e keqqeverisjes, për cënimin e votës, për varfërimin e skajshëm të qytetarëve tanë, për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për kapjen e drejtësisë dhe të medias. Kurrë nuk mbajti asjë gram përgjegjësi kryeministri ynë. Dhe kurrë, nuk tha një herë të vetme, se po ky është faji im. Por vetëm sulmoi e përdori edhe instrumenta ekstraligjorë, kundër kundërshtarit të tij politik, në përpjekjet më primitive, parapolitike, për asgjesimin e Opozitës. Une kam ende shumë për të mësuar, se për fat jam ende i ri. Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem”, deklaroi Belind Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: