Gjyqtari në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, njëherazi kandidat për Gjykatën Kushtetuese, Rexhep Bekteshi u përball pa probleme të premten me vetingun gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Treshja gjykuese përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunlida Bekteshi anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh.


Relatorja e çështjes, Firdes Shuli u shpreh në fillim të seancës dëgjimore se gjyqtari Bekteshi është vlerësuar për të tri kriteret. Lidhur me pasurinë e gjyqtarit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka dorëzuar pranë komisionit një raport sipas të cilit ai kishte kryer deklarim të saktë, kishte burime financiare të ligjshme, nuk kishte kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë dhe nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.


Relatorja Shuli theksoi se komisioni ka kryer një hetim të thelluar dhe të pavarur lidhur me deklarimin e pasurive të gjyqtarit Rexhep Bekteshi. Komisioni i ka gjetur të rregullt gjithë deklarimet e kryera nga gjyqtari Bekteshi lidhur me një apartament me sipërfaqe 70.66 m2 në qytetin e Durrësit, që ka rezultuar të jetë privatizuar në vitin 1993 në shumën e 12,960 lekëve. Si burim të kësaj shume, subjekti ka deklaruar pagat e tij dhe të bashkëshortes, që sipas komisionit ka rezultuar të jenë të sakta.


KPK ka verifikuar edhe pagesat e energjisë dhe të ujit ndër vite, nga ka rezultuar se të dhënat e hetimit përputhen me ato të deklaruara nga subjekti.

Lidhur me një shtesë me sipërfaqe 36.21 m2 në këtë apartament, me leje ndërtimi të vitit 1995 me vlerë 450 mijë lekë, për të cilën gjyqtari ka deklaruar si burim të kësaj shume të shpenzuar të ardhurat nga pagat e tij e të bashkëshortes, komisioni ka konstatuar se ai pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Komisioni ka verifikuar edhe një llogari rrjedhëse në emër të gjyqtarit në shumën e 675 mijë lekëve dhe një depozitë bankare një vjeçare në shumën e 505 mijë lekëve që kanë rezultuar pa probleme. Sipas komisionit, nuk kanë rezultuar pasuri të tjera.

Ndërkohë, janë verifikuar edhe pasuritë e personave të lidhur me të, ku bashkëshortja veç apartamentit të përbashkët në Durrës, ka pasur edhe dy llogari rrjedhëse bankare që ka rezultuar të përputhen me deklarimet e kryera. Djali i gjyqtarit, E.B. disponon një automjet tip “Wolskwagen” të vitit 1997 të blerë në vitin 2009 kundrejt 300 mijë lekëve. Si burim të krijimit të kësaj pasurie, ai ka deklaruar pagat e prindërve. Sipas komisionit, burimet për krijimin e kësaj pasurie kanë qenë të ligjshme. Edhe një llogari rrjedhëse në shumën e 390 mijë lekëve në emër të djalit të gjyqtarit dhe shuma e shpenzuar për marrjen e një makine me qira në Romë prej tij, kanë rezultuar pa probleme.

Gjyqtari Rexhep Bekteshi ka deklaruar edhe pasurinë dhe shpenzimet e vajzës së tij, edhe pse sipas komisionit nuk ka pasur detyrim për të deklaruar. Ai ka deklaruar tre llogari bankare në emër të vajzës të krijuar nga pagat. Gjithashtu, ka paraqitur dokumente për bursën për studime për arkitekturë që ajo ka fituar në vitin 2005 në Greqi. Komisioni nuk evidentoi problematika lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet e vajzës së gjyqtarit Bekteshi.

Gjyqtari Bekteshi është vlerësuar pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar(DSIK), e ka konsideruar subjektin të përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Komisioni nuk evidentoi problematika të theksuara edhe në aspektin profesional. Sipas relatores Shuli, nga gjashtë denoncime të kryera nga publiku, në katër prej tyre nuk përmbushen kriteret. Sipas komisionit janë evidentuar raste të tejkalimit të afateve të shqyrtimit të çështjeve gjyqësore.

Ndërkohë, për një prej pretendimeve nga publiku për mosnjoftim të akteve, relatorja Shuli u shpreh se subjekti e ka hedhur poshtë me dokumente.

Vetë gjyqtari Rexhep Bekteshi u shpreh se punonte në sistemin e drejtësisë që prej vitit 1980 dhe se pasuria e tij në 40 vjet karrierë është vetëm ajo që ka deklaruar. Për ankimin për mosnjoftim për zhvillimin e seancës ai shpjegoi se denoncuesi është avokat dhe se ai në seancën e parë të kësaj çështje ka qenë i pranishëm dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Sipas gjyqtarit Bekteshi, gjykimi i shkurtuar kërkohet pasi ai është njohur me çështjen.

Ai depozitoi në komision dokumentet origjinale të përfitimit të bursës nga vajza në Greqi. Gjyqtari Rexhep Bekteshi kërkoi konfirmimin në detyrë.
Në fund të seancës dëgjimore, anëtarja e komisionit Brunilda Bekteshi sqaroi se pavarësisht se mbante të njëjtin mbiemër me subjektin, nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, gjë që u konfirmua edhe nga gjyqtari Rexhep Bekteshi.

Rexhep Bekteshi është një gjyqtar me karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Ai e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1993 dhe për më shumë se 25-vjet ai ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në shkurt 2018, pas thirrjes së hapur nga Presidenti i Republikës, Bekteshi ka kandiduar për një post në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka kandiduar dhe si pjesë e thirrjes së hapur nga Kuvendi në të njëjtin muaj. KPK pritet të shpallë vendimin në datë 26 prill, ora 9.15.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb