Pedagogia Iris Luarasi, kandidate për deputete e PS nga lista e mbyllur, e ftuar në studion e News 24, tha se është e surprizuar që është në listë të mbyllur.

Luarasi tha se drejtësia e pavarur e dërgon Shqipërinë në BE. Ajo shtoi se integrimi i vendit në BE është diçka e mirë për të gjithë shqiptarët.

“Ishte surprizë që të isha në listë të mbyllur. Në listë të mbyllur janë njerëz të rinj, është strategji dhe është strategjia më e mirë. Në PD, shumë figura morën vota në primare dhe më pas u lanë në listë të hapur. Mendoj që PS ka parë tek unë që aktivizohem dhe sërish do të jem aktive, siç kam qenë. Ato gjëra që mendon nga jashtë, mund t’i bëj në parlament. Nuk do të heq dorë nga mbrojtja e të drejtave të grave dhe vajzave. RTSH-në nuk e kam aspiruar. Dikur të ishe shqiptar, të kthenin dhe kurrizin. Shqipëria s’është më ai vendi i kriminelëve. Imazhi për Shqipërinë ka ndryshuar për mirë. Politika e PS afrohet nga BE dhe PS e di shumë mirë që vetëm drejtësia e pavarur të dërgon në Bashkimin Europian. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër integrimit në BE”, tha Luarasi.

Më tej, Luarasi foli edhe për rolin e saj të rëndësishëm në shoqërinë civile. Ajo tha se shoqëria civile është sulmuar ashpër, por se ka punuar fort për barazinë gjinore, kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.

“Shoqëria civile po sulmohet ashpër, kemi bërë shumë ligje për të mbrojtur gratë dhe vajzat. Kemi regjistrin për personat që kanë kryer krime seksuale, ligji për kodin e familjes, ligjin për barazi mes gjinisë, lufta për të sjellë progresin nuk mbaron kurrë. Ne shqiptarët jemi si gjithë qytetarët e botës. Ndaj dhunës në familje nuk ka imunitet askush. Edhe në Itali ka krime të tmerrshme ndaj grave. Nga ana tjetër, nuk duhet të themi se meqë kjo ndodh në Itali, të ndodhë dhe tek ne. Jo, duhet të ashpërsohen dënimet për dhunuesit. Ka një ide që ne duam të ndajmë burrat nga gratë, jo ne duam që edhe dhunuesi të ndryshojë sjellje, kur dhuna s’është e tmerrshme gjithmonë”, deklaroi Luarasi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: