DURRES- Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun Durrës, ju bashkuan aktiviteteve sportive të organizuara nga të rinjtë e FRESSH në qytetin bregdetar. Kryetari i bashkisë Durrës, Vangjush Dako, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, dhe deputeti Fidel Ylli, e vunë theksin tek rinia, si një potencial për të ardhmen, ndërsa kërkuan angazhimin e të gjithë të rinjve për një fitore të sigurt në 18 Qershor.

“Ju si rini socialiste, mbështetni Edi Ramën mbështetni PS, sepse keni besimin e plotë kjo forcë politike do të bëjë më të mirën për Shqipërinë që duam. Do të kemi mirëqenie, punësim, dhe atë që duam më shumë të gjithë, shtet. Të jeni të sigurtë se është në fokusin tonë kryesor, një nga objektivat, prioritetet e qeverisjes sonë, mundësia dhe hapësira që do t’i krijojmë të gjithë të rinjve për të patur një jetë të sigurt dhe të qëndrueshme në Shqipëri. Truri dhe rinia jonë, qoftë ajo intelektuale, qoftë ajo e aftë për punë, duhet të japë kontributin e vet këtu në vendin tonë, t’i shërbejë Atdheut tonë për të krijuar atë Shqipëri që duam, për të bërë më të mirën për brezat dhe gjeneratën e ardhshme”, tha Dako.

Ndërsa ministrja Ekonomi në fjalën e saj tha se, “vendi ynë ka shumë nevojë që të tregoni dijen, talenti dhe të bashkëpunoni edhe me të rinj të tjerë që vijnë nga Ballkani. Nëse do të bashkëpunojmë me vendet e tjera ballkanike, ne do t’ia dalim për të bërë Shqipërinë që duam, për të krijuar më shumë mirëqenie dhe për të sjellë më shumë punë”.

“Rinia është një forcë shumë e madhe. Nuk është thjesht një slogan, por pa ju nuk mund të ecet përpara. Janë energjitë ato që ne do të na bëjnë të jemi fitues”, u shpreh deputeti Fidel Ylli.

Në fund të aktivitetit u shpërndanë disa certifikata vlerësimi për punën e bërë ndër vite nga ish-drejtuesit e FRESSH Durrës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: