Nga: MARIGLEN MERTIRI*
TIRANE –
 Ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili akuzon ministrin Ilir Beqja se ka shkelur rregullat e konkurrimit për specializimet në mjekësi, duke krijuar kushte për konkurrim të pabarabartë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Vasili deklaroi se është absurditet që të konkurrojnë studentë që nuk kanë dhënë provimin e shtetit dhe kjo me urdhër të ministres së Arsimit, e cila së bashku me ministrin Beqaj kanë ndërhyrë pa të drejtë në proces.

“Mu duk absurde të mendoja që njerëz që nuk kishin dhënë provimin e shtetit mund të merrnin pjesë në konkurs, sepse ishte një kusht përjashtues shumë i egër. Por u trondita shumë kur në intervistën e dhënë nga dekania e fakultetit të mjekësisë mësova që ky është një fakt i vërtetë dhe ishte bërë me një urdhër të Ministres së Arsimit, e cila nuk ka asnjë tagër mbi procesin. Tagrin mbi procesin fillim-mbarim e ka vetëm rektori dhe dekani. Mbi këtë ligj kanë qenë ndërtuar specializimet, mbi këtë ligj kam qenë dhe unë ministër i shëndetësisë por nuk kam patur të drejtë të firmos. nuk e kuptoj se si mund të firmoset.  Përse ligji i arsimit të lartë ka krijuar të tilla deformime. Duke marrë shkak nga tronditja që më shkaktoi vërtet se si mund të shkelen rregullat e garës, sigurisht shkelja e rregullave nuk vjen nga motive pozitive. Ka në mend emra të përveçëm. kurse në momentin e shpalljes së këtyre rregullave, cënimi nga kushdo, qoftë edhe ministri, nuk flet për transparencë, por për të kundërtën e transparencës”- deklaroi Vasili.

Një tjetër pikë ku Petrit Vasali ka qenë i ashpër ka qenë edhe paragjykimi ndaj klasës mjekësore shqiptare dhe studentëve që kanë mbaruar në Shqipëri universitetin.

“Unë e gjej të pamundur të shpjegohet mënyra se pse unë do prish konkurrimin e barabartë dhe do fus të tjerët për çfarëdolloj shkaku në botë. Nën mesatare 7 nuk mund të marrin pjesë në specializim, kjo është e qartë. Ndërkohë që ata që kanë mbaruar në këto vendet perëndimore, që vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, kanë të drejtë edhe me më pak, edhe me 5.1.”- tha ai.

Për Petrit Vasilin, testimi i mjekëve nuk duhet të bëhet, dhe për këtë deklaroi se ministri Ilir Beqaj është këshilluar keq.

Lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se brenda mazhorancës nuk kanë nisur ende negociatat për kandidatët, duke theksuar se PS dhe LSI janë përqëndruar kryesisht në garantimin e standardeve zgjedhore.

“Preokupacioni ynë themelor ka qenë që të kemi zgjedhjet e standardeve. Sot kolegji zgjedhor dha një përgjigje për kërkesën e organizimit të referendumeve. Drejtësia foli për këtë çështje. Jemi çliruar nga pjesa kontestuese, përqëndrimi tani është që zgjedhjet të jenë me standarde. Do ketë një konfigurim të plotë e të shpejtë të KQZ, sigurisht duke plotësuar vakancat që janë atje, për të pasur mundësi që komisioni të ketë ekipin e plotë. Do realizojmë një model të pushtetit vendor të ri. Kemi marrë një angazhim të madh, jemi në momentin që të fillojmë ta formësojmë. Kandidatët do jenë thellësisht të mbështetur, sepse është një sfidë e përbashkët jo sfidë e një kandidati. Do kemi kandidatë fitues me skuadra fituese. Nuk ka për të patur një njeri të vetëm që do të drejtojë në mënyrë të hatashme pa patur një ekip. Ndarja e re territoriale e bën akoma më të tejkaluar një ide të tillë.”- deklaroi Vasili.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: