Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë,” për Bashkinë Malësi e Madhe, Isa Ramaj. Berisha tha se ndryshimi mes kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe atyre socialistë, është se ata të opozitës janë njerëz të qytetarëve.
Duke iu referuar deklaratave të Ramës në Kavajë, që demokratët të flenë gjumë e të mos votojnë më 14 maj, Berisha tha se ai është i pashpresë.
“Nuk mund të kurorëzonim fitoren pa ardhur këtu në Malësinë e madhe.
Sot ne vijmë para jush për të kërkuar votën e çdo malësori, çdo malësoreje atdhetar, patriot, punëtor, por vijmë gjithashtu krenarë me ju dhe ballëhapur para jush sepse ne vijmë për të paraqitur Isa Ramën, kandidatin tuaj, njërin prej jush, i cili dallon shumë nga Tonin, jo se Tonin nuk është i kësaj treve, po dhe ai i kësaj treve është, por problemi është se Tonini dhe të gjithë si Tonini nuk janë më të qytetarëve, janë të Edi Ramës, kandidatë të qeveritarëve.
Në parlament ju keni Ramadan Likën përfaqësues. Ramadan Lika në parlamentin e vendit, pikërisht se ka ndjerë përgjegjësitë para jush është bërë një avokat i pamposhtur i interesave të malësorëve të Malësisë së Madhe, iu problemeve e halleve të tyre. Po më thoni pak sa herë e keni dëgjuar Paulinin të çelë gojën për Malësinë e Madhe? Ja ku është zonja Greta Bardeli, në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur në parlament problemet e qarkut të Shkodrës, po kështu Zef Hila, në mënyrë të përsëritur. Sa herë e keni dëgjuar Benet Becin që ia fali veten Edi Ramës të flasë për Shkodrën? Asnjëherë!”, tha Berisha.
Sipas tij, ndryshimi është i madh se këta janë qeveritarët tuaj, nuk janë të Berishës, janë dhe do mbeten të qytetarëve.
“Ky është ndryshimi esencial që duam të sjellim më 14 maj. Unë e di që Malësia ka marrë vendimin e saj dhe Tonini bashkë me Toninët e tjerë do shkojnë atje ku e kanë vendin.
I pari që kam dëgjuar që ju thotë qytetarëve të mos shkojnë në votime. Kjo tregon se ai është i pashpresë, ndaj dhe ne duhet të votojmë të gjithë, demokratë, socialistë, të paparti, të votojmë ndryshimin, Isa Ramën sepse kemi votuar për liritë tona. Nuk është i lirë qytetari që shpërfillet, që përbuzet nga qeveritari. Nuk është i lirë qytetari kur të gjitha pushtetet i ka në dorë një njeri me një shpirt të shkretuar nga virtytet.
Nuk është i lirë qytetari, kur një njeri kontrollon të gjitha pushtetet, kontrollon drejtësinë. Me drejtësi të kontrolluar nga qeveria nuk ka kurrë të lira dhe të drejta për qytetarët. Ndaj dhe ky është ndryshim për liritë tuaja, për dinjitetin tuaj. Programi i Isa Ramës, program për ju, për bizneset, për fermerët, për turizmin. Pra, një program i cili përpiqet të adresojë, t’u japë përgjigje, zgjidhje të gjitha problemeve me të cilat përballen këta sektorë jetikë për Malësinë e Madhe. Kurse Marinaj betohet nga mëngjesi në darkë për krye të Edi Ramës dhe Paulinit sepse është vetëm i tyre.
Çdo qytetar i Malësisë së Madhe kudo që ndodhet, duhet të bëjë çdo përpjekje të votojë më 14 maj. Të votojë sepse kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pasur një qeveri e cila t’i ketë vjedhur ata deri në palcë, t’i ketë plaçkitur çdo gjë, e cila iu dyfishoi bizneseve taksat dhe qytetarëve çmimeve. Vetëm me rritjen 1-vjetore të çmimeve harxhoni një rrogë më shumë për të blerë ushqimet, kurse ai shëtit me avion në vakanca dhe shpenzon gjysmë miliardi euro. Nuk ka një qeveritar që të ketë vendosur tirani varfërie me kaq shpejtësi sa Edi Rama për ju. Çmimet rriten, rrogat mbetën po aty”, tha Berisha.