Kandidati për deputet në listën e hapur të PD për qarkun e Tiranës, Arnold Kariqi, në një postim në rrjetin social Facebook i është përgjigjur kryeministrit Rama duke e akuzuar se po e trajton Kavajën si pronë private.
“Dikur simbol i demokracisë, sot Kavaja është e gjunjëzuar ekonomikisht, me të rinj që largohen çdo ditë dhe me qytetarë të braktisur nga një pushtet që kujtohet për ta vetëm kur vjen koha e votave.
Kryeministri, i cili sot sillet sikur na ka bërë ndonjë nder, është po ai që ka mbyllur zyrat e institucioneve, ka shkatërruar rrugët dhe ka falimentuar bizneset lokale. Ai nuk e do Kavajën, ai e përdor”, thotë Kariqi.
“Dhe si për ta përmbyllur farsën, Rilindja na sjell edhe dy kandidatët anonimë të “Frontit Debatik”, të dalë nga lista e mbyllur e Tiranës, pa asnjë kontribut për këtë qytet. Kavaja nuk i njeh, nuk i ka parë kurrë në asnjë betejë për të drejtat e qytetarëve të saj, por pushteti mendon se mund të na i imponojë me arrogancën e zakonshme.
Por Kavaja nuk është lodër në duart e pushtetit! Kavaja nuk është plaçkë tregu që mund ta ndajnë mes klanit të tyre! Më 11 maj, ky qytet do të zgjohet dhe do t’i japë fund kësaj talljeje. Është koha të marrim fatin në duart tona dhe të largojmë njëherë e mirë ata që na kanë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë”, shkruan kandidati i PD në listën e hapur të PD për qarkun e Tiranës.
(BalkanWeb)