Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris zgjodhi të martën guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, si kandidat për nënpresident nga pjesa qendrore e Amerikës, në një përpjekje të dukshme për të zgjeruar bazën e votuesve duke tërhequr votuesit ruralë, të bardhë, njoftojnë mediat amerikane duke iu referuar burimeve me dijeni për këtë çështje.

60 vjeçari Walz, një veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane dhe ish-mësues, u bë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2006, duke fituar në një distrikt me prirje republikane dhe shërbeu për 12 vjet përpara se të zgjidhej Guvernator i Minesotës në vitin 2018, shkruan Zëri i Amerikës.

Si guvernator, zoti Walz ka ndjekur një axhendë progresive, që mes të tjerave përfshin masa për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike, uljen e taksave për klasën e mesme dhe zgjerimin e lejes së paguar për punonjësit e Minesotës.

Ai ka mbrojtur prej kohësh të drejtat riprodhuese të grave, por gjithashtu ka shfaqur edhe prirje konservatore, duke mbrojtur interesat e fermerëve dhe të drejtën për armëmbajtjee.

Ishte vendimi i parë madhor i zonjës Harris si kandidate presidenciale e Partisë Demokrate dhe një hap tjetër në fushatën e saj për të fituar Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Njoftimi erdhi një ditë pasi zonja Harris siguroi zyrtarisht emërimin si kandidate e partisë së saj për presidente, pas një raundi pesë-ditor votimi në internet nga delegatët e Kuvendit Kombëtar Demokratik që përfundoi të hënën në mbrëmje.

Në një deklaratë pak para mesnatës, Komiteti Kombëtar Demokrat tha se 99% e delegatëve kishin votuar në favor të zonjës Harris. Votimi do të certifikohet zyrtarisht në Kuvendin e partisë në Çikago.

Zonja Harris, gruaja e parë dhe politikania e parë me prejardhje afrikano-amerikane dhe indiane që shërben si nënpresidente, bëhet kështu gruaja e parë jo e bardhë si kandidate zyrtare e njërës prej partive kryesore.

Lista e kandidatëve për nënpresident ishte ngushtuar mes Guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro dhe Guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, i thanë agjencisë Reuters disa burime të hënën.

Nënpresidentja Harris pritet të shfaqet me zotin Waltz në një tubim fushate në Filadelfia të martën në mbrëmje. Vendimi i saj është tregues i mënyrës së saj të të menduarit për strategjinë më të mirë për të fituar në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Walz, 60 vjeç, shërben si guvernator në një shtet që voton vazhdimisht për demokratët, por ka treguar se është i pëlqyer mes votuesve të bardhë, ruralë, të cilët vitet e fundit kanë votuar gjerësisht për zotin Trump.

Amerikanët zakonisht përqendrohen tek kandidati për president kur zgjedhin se për kë të votojnë, por kandidatët për nënpresident mund të ndihmojnë ose dëmtojnë kandidatët e tyre bazuar në prejardhjen, popullaritetin në shtetin e tyre dhe aftësinë për të ndikuar në zona të rëndësishme elektorale ose tek votuesit e pavarur.

Senatori JD Vance, kandidati për nënpresident i përzgjedhur nga ish-Presidenti Donald Trump, nga shteti i Ohajos, ka shkaktuar reagime me komentet e tij për gratë që nuk kanë fëmijë, mes shqetësimeve se ato do të ndikojnë tek vota e grave. Në tubime fushate këtë javë, ai pritet ta kritikojë zonjën Harris lidhur me ekonominë dhe imigracionin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: