Kandidatja e Partisë së Lirisë, PL, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediat u shpreh se zgjedhjet e 11 Majit nuk janë zgjedhjet e radhës, por janë zgjedhjet që do të bëjnë ndryshimin e madh midis errësirës dhe dritës, midis mjerimit dhe mirëqenies.
“Këto zgjedhje janë mundësia juaj për ti dhënë përgjigjen e merituar arrogancës së pushtetit që vetëm ju sundon por nuk ju jep asnjë shërbim.
Vetëm në Shqipëri harxhohen para për inceneratorë që nuk ekzistojnë, për “Anije Gjeneratorë” që nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji. Miliona euro në tunele dhe rrugë të florinjta”, u shpreh Haxhiu.
Sipas saj, vetëm fryma e grupit dhe kontributi i secilit prej nesh do të na sigurojë fitoren në 11 Maj dhe fitorja është e sigurt, fitorja është e jona.
“Partia e Lirisë do të mbështesë nënat me pagë deri në 2 vjet mbas lindjes në masën 70 deri 100% të pagës.
Duke qenë të vetëdijshëm se sa e vështirë është të ritësh një fëmijë në kushtet ekonomike të familjeve shqiptare dhe bonusi i bebes do të trefishohet.
Për nënat me dy ose më shumë fëmijë do të ketë ulje taksash në pagë dhe të ardhura.
Çiftet e reja e shtyjnë në kohë nismën për të krijuar familje, ndaj Partia e Lirisë do ti mbështesi me kredi 20 mijë euro ku interesat I paguan shteti.
Po ashtu do ti mbështesi me programin e strehimit sipas modelit hungarez.
Do të krijohet fondi i banesave për çiftet e reja dhe blerja me kosto e banesave të pashitura.
Kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje kredie me 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë dhe 10 mijë euro për fëmijën e tretë.
Rimbursim për ushqimet bazë në shportën e bebes.
Mbështetje falas për ushqim, suplementet ushqimore, veshjet dhe aksesorët pediatrikë të nevojshme për bebet deri në 1 vit pas lindjes të fëmijës.
Pagesa e kujdestarëve gjatë shtatzënisë.
Orare më të zgjatura të shërbimit dhe sistemi i kateringut në kopshte dhe shkolla. 20 mijë euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social apo start-up”, tha kandidatja për deputete e PL, Brunilda Haxhiu.
(Balkan Web)