Babë e bir u proceduan penalisht nga Policia e Shkodrës pasi dyshohet se kanë kërcënuar me armë pneumatike një konkurentin e tyre në fushën e transportit të turistëve me varka në lumin e Shalës.

Gazetari Senad Nikshiqi, referuar burimeve zyrtare nga policia, bëri të ditur për Balkanweb procedimin penal të shtetasve K.N dhe R.N, përkatësisht 55 dhe 24 vjeç.

“Pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 58-vjeçari, se ishte kanosur me armë pneumatike, nga 2 shtetas, për motive konkurrence në fushën e transportit me varka të turistëve nga/për te lumi i Shalës, Komisariati i Policisë Vau i Dejës referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, për autorët e dyshuar të rastit, shtetasit K. N., 55 vjeç dhe R. N., 24 vjeç, babë e bir.

Nga kontrollet në banesën e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën pneumatike me të cilën dyshohet se u krye kanosja dhe 1 mjet prerës (thikë), që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb