Arrestohet një 41-vjeçar në Korçë, i cili ishte shpallur në kërkim se kanosi babain, dhunoi bashkëshorten dhe vodhi një banesë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet Z. G., 41 vjeç, banues në Korçë.
“Gjatë 10 ditëve të fundit, kanosi me fjalë babanë e tij (i pajisur me urdhër mbrojtjeje), ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, vodhi një celular dhe një shumë parash në një banesë, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari i shpallur në kërkim. Komisariati i Policisë Korçë, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, kapi dhe ndaloi shtetasin Z. G., 41 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se:
-më datë 07.07.2024, në lokalin e tij, në lagjen nr. 6, ka kanosur me fjalë babanë e tij, i cili ishte i pajisur me urdhër mbrojtjeje;
-më datë 13.07.2024, ka dhunuar bashkëshorten e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-më datë 15.07.2024, në lagjen nr. 10, Korçë, ka vjedhur në një banesë, një celular dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”,“Dhuna në familje” dhe ”Vjedhja”.”, sqaron policia.