Vijon kaosi me stadiumet në futbollin shqiptar. Sikur të mos mjaftonte që dy skuadra nuk kanë stadiumet e tyre, Erzeni dhe Dinamo, që luajnë përkatësisht në Rrogozhinë dhe në Elbasan, tani shtohet edhe Vllaznia, e cila nuk mund të luajë në “Loro Boriçi”, pasi është bërë mbjellja e barit dhe duhet të paktën 1 muaj pushim.
Dhe sfida e radhës mes Vllaznisë dhe Tiranës është spostuar në “Kukësi Arena”. Por edhe tapeti i këtij impianti është drejt degradimit të plotë dhe me siguri shumë shpejt, sidomos me nisjen e shirave, do të dalë jashtë përdorimit.
Sikur të mos mjaftonin këto probleme, edhe ‘Elbasan Arena” do të mbyllet, pasi do të bëhet mbjellja e barit. Për 30 ditë, Dinamo dhe Elbasani mbeten pa stadium, ndërsa tani duhet të gjejnë fushë.
“Air Albania”, stadiumi kryesor i kryeqytetit, është i mbyllur për futbollin shqiptar. Pra, tre stadiume kombëtare, impiantet më të rëndësishme në vend, mbyllen njëkohësisht, duke krijuar një kaos për disa skuadra, që më pas nga instensiteti i sfidave në një stadium tjetër, prishen edhe tapetet e tjera.
(BalkanWeb)