Radhë të gjata në aeroport – Pas atentatit ndaj Haniya, shumë linja ajrore pezulluan linjat e tyre drejt dhe nga Bejruti

Disa persona po largohen sepse kanë frikë nga një luftë e gjithanshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, fluturimet  janë anuluar njëri pas tjetrit: në aeroportin e Bejrutit, pasagjerët kanë pritur për orë të tëra, qartësisht të shqetësuar për përshkallëzimin e tensionit në Lindjen e Mesme.

“Nuk doja të largohesha. Doja të kaloja gjithë verën në Liban dhe më pas të kthehesha në Francë për punë”, tha Joelle Sfeir, duke pritur në sallën e mbushur plot njerëz për nisje. Por “fluturimi im u anulua dhe më duhej të rezervoja një biletë tjetër për sot”, tha e reja libaneze. Ashtu si shumë bashkatdhetarë të saj që punojnë apo studiojnë jashtë vendit, Sfeir përfitoi nga pushimet verore për të vizituar të afërmit dhe miqtë që kanë mbetur në vend.

Por pas vrasjes të mërkurën e kaluar të liderit politik të Hamasit Ismail Haniya në Teheran dhe sulmit ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë që vrau udhëheqësin ushtarak të Hezbollahut, Fouad Shukr, shumë linja ajrore, duke përfshirë Lufthansa dhe Air France, kanë pezulluar linjat e saj drejt dhe nga Bejruti.

Në të njëjtën kohë, pas kërcënimeve për hakmarrje ndaj Izraelit, shumë vende (Suedia, SHBA, Britania, Franca, Jordania, Arabia Saudite) u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen sa më shpejt nga Libani.

Mbi të gjitha, kujtimet e luftës së mëparshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, në vitin 2006, janë ende të gjalla. Atë verë aeroporti i Bejrutit ishte bombarduar.

Në sallën e nisjes, familje të tëra, me fëmijët në krahët e prindërve të tyre, shikojnë pirgjet e bagazheve dhe orarin – shumica e fluturimeve janë të destinuara për në Stamboll, Aman dhe Kajro.

“Isha në Siri, por situata u vështirësua pak dhe fluturimi im, i cili ishte planifikuar për nesër, u anulua. Kështu që unë po përpiqem të largohem sot, shpjegoi një pasagjer, Moder Raya.

Greta Mukarzel, menaxherja e një agjencie udhëtimi pranë Bejrutit, tha se kishte marrë një “lumë  telefonatash” nga klientët që donin të largoheshin dhe kishin frikë se do të bllokoheshin në Liban. Por është e vështirë të gjesh vende për shkak se shumë fluturime janë anuluar dhe për shkak të rritjes së kërkesës, veçanërisht drejt vendeve evropiane, shpjegoi ajo. “Dhe shumë libanezë që do të vinin me pushime anuluan rezervimet e tyre,” shtoi më tej ajo.

Pranë zonës së mbërritjeve, e cila zakonisht është e mbushur me njerëz në këtë kohë, shumë pak njerëz presin të mirëpresin njerëzit e tyre.

Në rrugën për në aeroport, i cili kalon nëpër periferitë jugore të Bejrutit – një bastion i Hezbollahut – një pankartë e madhe me fotografitë e Ismail Haniya dhe Fouad Shoukr paralajmëron: “Ne do të marrim hak”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: